Austri, operacionet kundër muslimanëve shkaktojnë reagim të ashpër

Ndalimi i aktivistëve dhe akademikëve të njohur në Austri nën maskën e “luftimit të terrorizmit” ka shkaktuar reagim të ashpër, transmeton Anadolu Agency (AA).

Megjithëse Ministria e Brendshme pretendoi se operacionet e kryera të hënën ishin kundër organizatave terroriste dhe financuesve të tyre, aktivistët e të drejtave të njeriut i kanë quajtur ato maskotë.

Mosveprimi i inteligjencës austriake, pavarësisht se posedonte informacione të rëndësishme në lidhje me sulmuesin që vrau 4 persona dhe plagosi 22 të tjerë me armë në Vjenë javën e kaluar ka shkaktuar kritika të ashpra.

Të hënën, rreth 60 adresa u bastisën dhe 30 muslimanë, përfshirë shumë akademikë dhe aktivistë të shquar u arrestuan. Disa nga ata që u arrestuan në operacion, të cilin qeveria e raportoi si një goditje të madhe ndaj terrorizmit, u lanë të lirë në mbrëmjen e të njëjtës ditë.

Aktivisti I.R.I. i cili u ndalua për pak kohë kujtoi vuajtjet e tij.

I.R.I, i cili ka udhëhequr demonstrata kundër diktatorit ushtarak të Egjiptit, Abdulfettah al-Sisi, tha se fjalët nuk arrijnë të përshkruajnë përvojat e shumë muslimanëve të arrestuar me të atë ditë.

I.R.I, i cili nuk dëshironte që emri i tij të bëhej i ditur sepse hetimi ishte duke vazhduar tha se policia hyri në shtëpinë e tyre herët në mëngjes. Ata hynë në dhomat e tyre të gjumit me armë me tyta të gjatë duke i trajtuar ata si terroristë.

“Nëse policia do të më merrte në pyetje do të ishte e mjaftueshme që të më dërgonin një letër ose të trokisnin në derën time. Unë do ta kisha hapur derën por ata na trajtuan si terroristë”, tha I.R.I.

Ai tha se operacione të tilla mund të ndodhin në vendet ku sundojnë diktatorët, por jo në zemër të Evropës.

Aktivisti hodhi poshtë pretendimet e ministrit të Brendshëm, Karl Nehammer se operacionet nuk kishin lidhje me sulmin terrorist të javës së kaluar.

“Jo, bastisjet e policisë të një dite më parë u bënë për të mbuluar dështimet e Ministrisë së Brendshme”, tha aktivisti.

Aktivisti austriak Michael Probsting tha se operacioni në të cilin u arrestuan dhjetëra muslimanë është një tregues i qartë i vendosmërisë së tyre për të shtypur fenë dhe pikëpamjet e botës, me të cilat qeveria është e pakënaqur, si në Francë.

“Liria e fjalës ekziston vetëm për Charlie Hebdo dhe ata që e urrejnë Islamin. Megjithatë, liria e mendimit u mohohet atyre që mbrojnë të drejtat e muslimanëve dhe që janë kundër racizmit islamofob. Ky është një skandal i madh”, tha Probsting.

“Unë nuk jam musliman por kjo nuk ka rëndësi. Muslimanët dhe jomuslimanët duhet të veprojnë së bashku për të mbrojtur të drejtat themelore demokratike”, shtoi ai.

Duke folur në një konferencë për media në Vjenë javën e kaluar, ministri Nehammer tha se sulmuesi, i cili u vra në një operacion policor pas sulmit, ishte simpatizant i grupit terrorist DEASH.

Personi i armatosur, i identifikuar më vonë si Kujtim Fejzullai, kishte shtetësi të Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai udhëtoi në Sllovaki në kërkim të municionit por u refuzua sepse nuk kishte lejen e nevojshme për armë.

“Ky informacion ishte i njohur nga inteligjenca austriake por nuk u nda me prokurorët”, shtoi Nehammer.