Australia rifillon financimin për UNRWA-në në Gaza, pret që edhe vendet e tjera të ndjekin hapin

Ndërsa situata humanitare në Gaza përkeqësohet, Australia rifilloi sot financimin për agjencinë e OKB-së për palestinezët (UNRWA), transmeton Anadolu.

“Në rifillimin e financimit, (qeveria) po i përgjigjet një situate humanitare në Gaza e cila është e tmerrshme dhe vetëm po përkeqësohet”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.

Izraeli filloi luftën e tij në Gaza pas inkursionit ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor 2023. Që atëherë, Izraeli ka vrarë më shumë se 31 mijë palestinezë dhe e ka çuar territorin në prag të urisë.

Australia iu bashkua aleatëve të saj perëndimorë, duke përfshirë SHBA-në dhe Britaninë, në janar, në pezullimin e fondeve për UNRWA-në pasi Tel Avivi pretendoi se disa punëtorë të organizatës lidheshin me sulmin e 7 tetorit nga Hamasi brenda Izraelit.

Në deklaratën e lëshuar nga ministrja e jashtme Penny Wong thuhet se vendimi për pauzën e përkohshme u mor “pas hapave për të forcuar integritetin e operacioneve të UNRWA-së”.

Përveç shkrirjes së 6 milionë dollarëve për UNRWA-në, Kanberra do të mbështesë gjithashtu përpjekjet e Jordanisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për të ndihmuar në dërgimin e ndihmave jetike humanitare për civilët në Gaza.

Sipas deklaratës, një avion C-17A Globemaster i Forcave Ajrore të Australisë do të dorëzojë një furnizim me 140 parashuta të shpërndarjes ajrore për t’u përdorur në hedhjet e ndihmave nga ajri.

Në njoftimin për shtyp thuhet se vendimi është në përputhje me hapat e ndërmarrë nga Kanadaja, Suedia dhe BE-ja dhe “pritet që më shumë vende që kanë pezulluar fondet të marrin një qasje të ngjashme”.

Kanberra pranoi se vetëm UNRWA-ja ka infrastrukturën për të marrë dhe shpërndarë ndihma në shkallën e nevojshme në Gaza, duke i kërkuar Izraelit të njohë mandatin e organizatës dhe të punojë në mënyrë transparente për të mbështetur integritetin e saj.

Australia përsëriti gjithashtu thirrjen e saj për një armëpushim “humanitar të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm” në Gaza që “do të mundësojë lirimin e pakushtëzuar të pengjeve dhe ndihmën urgjente humanitare që nevojitet”.

“Këshilla më e mirë aktuale nga agjencitë dhe avokatët e qeverisë australiane është se UNRWA-ja nuk është një organizatë terroriste dhe se masat mbrojtëse shtesë ekzistuese mbrojnë mjaftueshëm financimin e taksapaguesve australianë”, tha ministrja e jashtme Wong në një konferencë shtypi në Adelaide.

“Ajo që unë di është kjo: e di se ka njerëz që vdesin nga uria në Gaza … E di që UNRWA-ja është kyç për të ofruar këtë ndihmë për njerëzit që janë në prag të vdekjes nga uria”, tha ajo.