Një grup i cili ofron mbështetje për refugjatët në Australi, ka mbyllur hyrjen në ndërtesën e Ministrisë së Migrimit dhe të Mbrojtjes Kufitare, raporton Anadolu Agency (AA).
Mbrojtësit e të drejtave të refugjatëve të cilët vendosën barrikadë me mobiliet shtëpiake në hyrjen e ndërtesës së ministrisë e cila ndodhet në rajonin Melbourne Dockland, filluan protestën në mbështetje të refugjatëve të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit në ishullin Manus.
Protestuesit të cilët që nga orët e mëngjesit bllokuan dy hyrjet e ndërtesës dhe hyrjen në parking me ulëse, shtretër, biçikleta, tavolina, nuk lejuan hyrjen e stafit të ministrisë në këtë ndërtesë.
Protestuesit të cilët kritikuan ashpër politikat e Australisë ndaj refugjatëve, mbanin pankarta me mbishkrime “Zbrazeni Manusin”, “Mbrojtja Kufitare po i torturon refugjatët”, “Ne jemi në këmbë me njerëzit në Manus”.
Zëdhënësja e protestuesve, Gabrielle De Vietri në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se protestat e tyre do të vazhdojnë deri sa gjendja në ishullin Manus të kthehet në normale.
Ajo tha se me marrëveshjen që ka bërë Australia me Papua Guinenë e Re janë ndërprerë shërbimet për refugjatët dhe se ata kanë mbetur në gjendje të vështirë.
“Ata u dënuan me uri, po i nënshtrohen torturave të Qeverisë së Australisë. Ne duam që ta ndalojmë këtë”, tha De Vietri.
De Vietri tha se kanë bërë iniciativa të shumta për refugjatët të cilët po mbahen për katër vite nëpër qendra por që nuk kanë arritur të marrin ndonjë rezultat dhe se për këtë arsye tani e mbyllin hyrjen në këtë ndërtesë.
“E vetmja gjë që kërkojnë këta njerëz është liria dhe ashtu si në vendet prej nga kanë ardhur po akuzohen. Ne duam që ta ndalojmë punën në njësinë e Mbrojtjes Kufitare të Australisë. Pyetëm, protestuam, lobuam, shkruam letra, asnjëra nuk mjaftoi. Tani duhet t’i ndalim punët”, tha De Vietri.
Protestuesit ende vazhdojnë me protestat e tyre me pretendimin se 600 refugjatët në qendrën e paraburgimit në ishullin Manus, të cilëve u është ndalur ofrimi i energjisë elektrike, ujit, produkteve shëndetësore dhe të ushqimit, janë lënë në uri.
Policia nuk ka ndërhyrë ndaj grupit të protestuesve i cili përbëhej nga rreth 100 persona. Protestuesit ende vazhdojnë të bllokojnë hyrjen në objektin e ministrisë.