Australi, kapen 44 persona të dyshuar për abuzim seksual ndaj fëmijëve

Në disa operacione të kryera në Australi, autoritetet kanë arrestuar 44 persona që dyshohet se kanë kryer abuzime seksuale ndaj fëmijëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga Policia Federale e Australisë (AFP), 44 të dyshuar meshkuj, të moshës 19 deri 57 vjeç, u arrestuan për posedim dhe prodhim të materialeve për abuzim të fëmijëve, në operacionet e koordinuara nga Qendra Australiane Kundër Abuzimit të Fëmijëve (ACCCE).

Duke deklaruar se operacionet u kryen pas një ndjekjeje njëvjeçare bazuar në pamje të shpërndara në internet, AFP tha se në operacionin e quajtur Molto, 16 fëmijë u shpëtuan para se të dëmtoheshin.

Komisari i Policisë, Reece Kershaw, tha se të gjitha 350 akuzat e ngritura kundër të dyshuarve kanë të bëjnë me posedimin ose prodhimin e materialeve për abuzim të fëmijëve.

“Kapja e kriminelëve dhe sjellja e tyre në gjykatë është vetëm gjysma e betejës”, theksoi ai.

Duke theksuar se ACCCE është e përkushtuar për të shpëtuar fëmijët nga ngacmimet seksuale, Kershaw tha: “Hulumtuesit tanë me kujdes kërkojnë të dhëna duke shikuar (pamjet) ‘piksel për piksel’ dhe nuk heqin dorë asnjëherë. Filmimi, shpërndarja ose prodhimi i materialeve për abuzim të fëmijëve është krim dhe institucionet punojnë 24 orë për t’i gjetur dhe ndjekur penalisht kriminelët”.

Komisari Kershaw shtoi se AFP ka shpëtuar 134 fëmijë, 67 prej të cilëve ishin nga vende të tjera, nga abuzimi në operacionet midis korrikut të vitit 2019 dhe qershorit të vitit 2020.

Të dyshuarit, të cilët thuhet se punonin në fushën e ndërtimit, transportit, sigurisë dhe akomodimit, pritet të sillen në gjykatë në ditët në vijim.