Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se Shtetet e Bashkuara duhet të përgatiten për një konflikt të mundshëm në të ardhmen që do të ketë pak ngjashmëri me “luftërat e vjetra” të cilat prej kohësh kanë konsumuar Pentagonin.
Ai i bëri komentet të premten në fjalimin e tij të parë të rëndësishëm mbi politikat e Pentagonit.
Sekretari Austin bëri thirrje për shfrytëzimin e përparimeve teknologjike dhe integrimin më të mirë të operacioneve ushtarake në botë për “të marrë vendime më të shpejta dhe vepruar më shpejt”.
“Mënyra e luftimit në betejën tjetër të madhe do të jetë shumë ndryshe nga luftrat e fundit”, tha z. Austin gjatë një vizite në Komandën e Paqësorit në shtetin Hauai.
Z. Austin nuk përmendi shprehimisht rivalët si Kina apo Rusia. Komentet e tij bëhen ndësa Shtetet e Bashkuara fillojnë tërheqjen e pakushtëzuar nga Afganistani, me urdhër të Presidentit Joe Biden, që synon t’i japë fund luftës më të gjatë të Amerikës dhe ripërcaktimin e përparësive të Pentagonit. Z. Austin e pranoi përfshirjen e tij operacionale në luftërat e fundit të Amerikës gjatë 20 viteve të fundit.
Kritikët thonë se tërheqja nga Afganistani nuk do t’i japë fund konfliktit të brendshëm të atij vendi ose të shuajë kërcënimet e terrorizmit. Komentet e zotit Austin nuk dukej t’i referoheshin veprimeve specifike ose të ishin parashikime për ndonjë konflikt konkret. Ai parashtroi me sa duket syime më të gjera për drejtimin e Pentagont nën administratën e Presidentit Biden.
“Ne nuk mund ta parashikojmë të ardhmen. Prandaj, ajo që na duhet është kombinimi i duhur i teknologjisë me konceptet dhe aftësitë operacionale, të gjitha të ndërthurura së bashku në një rrjet që është i besueshëm, tejet fleksibël e që do të frenonte çdo kundërshtar”, tha z. Austin.
Parandalimi i një konflikti do të nënkuptonte krijimin e “avantazheve për ne dhe dilemave për ata”, tha ai.
Reagimi amerikan mund të jetë indirekt, tha ai, duke përshkruar një skenar në të cilin mund të “përdoret lufta kibernetike për të reaguar ndaj një incidenti detar qindra kilometra larg.” /voa