Auditori gjen parregullsi në zyrën e presidentit

Zyra e presidentit Thaçi si duket nuk ka dëshirë t’i bëj publike shpenzimet e derivateve të veturave zyrtare. Kështu thuhet në raportin që ka nxjerrë Zyra e Auditorit të Përgjithshëm për këtë institucion për vitin 2016.

Në njërën prej të gjeturave për këtë institucion thuhet se ZPK nuk ka përgatitur ndonjë raport sa i përket shpenzimeve të servisimit dhe larjes së automjeteve. Ndërsa për derivate ka përgatitur raportet, mirëpo jo me shënime të sakta, shkruan Indeksonline.
ZAP ka gjetur në katër raste mospërputhje të të dhënave të raportuara.

‘’….ZPK-ja nuk kishte përgatitur ndonjë raport sa i përket shpenzimeve të servisimit dhe larjes së automjeteve. Ndërsa sa i përket shpenzimeve të derivateve kishte përgatitur raporte individuale, mirëpo shënimet nuk ishin plotësisht të sakta. Në katër (4) raste ne vërejtëm mospërputhje ndërmjet të dhënave të raportuara dhe dëshmive mbështetës’’, thuhet në raportin e ZAP.

Kjo nuk është shkelja e vetme që auditori ka gjetur në zyrën e presidentit. Të njëjta shkelje janë parë edhe tek procedurat tenderuese të këtij institucioni.

Për një tender të shpallur nga zyra e presidentit për shërbimet e autolarjes së veturave zyrtare, janë vendosur edhe kërkesat për përshtatshmëri teknike dhe profesionale të operatorëve :

‘’Operatori Ekonomik (OE) duhet të dëshmojë që ka së paku dy punëtor të angazhuar duke sjellë si dëshmi kontratat e punëtorëve me orar të plotë dhe fleksibil edhe gjatë ditëve të pushimit. 2) Të dëshmojë që ka pajisje për autolarje dhe 3) të dëshmojë që ka hapësirë të mjaftueshme për larjen e veturave’’

Mirëpo komisioni thuhet se gjatë vlerësimit të ofertave nuk ka marrë parasysh kërkesat e dosjes së tenderit dhe ka shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik pa u vlerësuar fare oferta.

Tërë kjo thuhet se ka ndodhur për shkak të mos përgjegjësisë nga komisioni i vlerësimit dhe mos mbikëqyrjes adekuate nga udhëheqësi i prokurimit.

Këto janë disa prej shkeljeve që ZAP ka gjetur në zyrën e presidentit.