Kompania Mansory që merret me modifikimin e veturave luksoze, kësaj radhe është marrë me Audi – duke ofruar një nga veturat më të ‘egra’ në botë me katër ulëse.
Audi RS7 është në vetvete më shumë se një veturë luksoze. Duket shkëlqyeshëm dhe falë një motori me 630 kuaj-fuqi të monitoruar nga elektronika e klasit të lartë, është jashtëzakonisht i shpejtë në rrugë.
Megjithatë, Mansory mendon se mund të ofrojë më shumë dhe nuk nënkuptojmë vetëm materiale ekskluzive dhe luks .
Pas një pune të palodhshme nga kompania gjermane, Audi zhvillon një fuqi të pabesueshme prej 1050 kuaj-fuqi, që është më shumë se ajo që ofrohej dikur nga Bugatti (Veyron), madje edhe Lamborghini më i fundit (hibrid).
Ndryshimet kanë të bëjnë kryesisht me motorin, i cili mori turbina të reja, injeksion, shkarkim dhe elektronikë kontrolli.
Epilogu është performanca në gjurmët e veturave hiper sportive. Shpejtësia maksimale është mbi 300 km/h dhe shpejtësia deri në 100 km/h është sigurisht nën 3 sekonda.
Të dhënat e sakta nuk dihen, ashtu si çmimi i këtij përpunimi të çmendur. Duke llogaritur në fuqinë e madhe, pasurimin e mekanikës dhe një mal me aksesorë karboni, sigurisht që nuk është pak.