Administrata Tatimore e Kosovës ka sqaruar mënyrën e pajisjes me certifikatë për të gjithë bizneset, punëtorët e të cilave kanë nevojë për leje qarkullimi në kuadër të kryerjes së detyrave të tyre të punës.
ATK thekson se shkarkimi i “Certifikatës për të punësuarit” që bëhet përmes sistemit elektronik EDI, do të u mundësohet vetëm shoqërive tregtare të cilat janë të regjistruara në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, dhe që e kanë të lejuar sipas Ministrisë së Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, kodin primar ose sekondari të veprimtarisë.
“Dokumenti ‘Certifikatë e të punësuarit’ mund të shkarkohet përmes Sistemit Elektronik EDI, në menynë ‘Shërbimet’, nën-menynë ‘Certifikatë e të punësuarit’. Ky dokument duhet të shkarkohet për secilin të punësuar nga i cili kërkohet të lëvizë për kryerjen e detyrave të punës”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Administrata Tatimore e Kosovës njofton se dokumenti pastaj duhet të vuloset.
“Dokumentin e shkarkuar, më pastaj duhet ta vulosni dhe nënshkruani dhe si e tillë bashkë me letërnjoftimin dhe ID-në zyrtare (kartelën identifikuese) të punonjësit (nëse ka), do të shërbejë si leje për të qarkulluar dhe atë vetëm në kuadër të kryerjes së detyrave të punës. Pra, ky dokument për arsye tjetër nuk mund të përdoret”, thuhet tutje në njoftim.
ATK ka publikuar në faqen e saj zyrtare listën e kodeve të cilat janë të lejuara nga MEPTINIS./KosovaPress