Mediat lokale kanë zbuluar identitetin e dy personave të mbetur të vrarë këtë të enjte teksa po udhëtonin me makinë në aksin Fier-Vlorë.
Viktimat janë Shpati Lena rreth 37 vjeç, dhe Hakim Xhezo gjithashtu rreth 34 vjeç. Ky i fundit është vëllai i Eduart Xhezos, i cili është në burg pasi akuzohet për vrasjen e Arben Beqirajt, ngjarje e ndodhur në Plazhin e Vjetër në Vlorë në gusht të vitit 2019, ku mbetën të plagosur edhe djali dhe një i afërm i viktimës, raporton A2 CNN.
Xhezo u arrestua në Durrës disa muaj pas ngjarjes, pasi u pikas nga Policia teksa qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara, nën efektin e lëndëve narkotike, me kartë identiteti të falsifikuar dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar në dy pika kontrolli. I ndjekur nga Forcat Shqiponja dhe ato të Qarkullimit Rrugor, Xhezo u bllokua në vendin e quajtur “Mbikalimi i këmbësorëve” te unaza e Shkozetit.
Për ngjarjen e vitit 2019 ishte arrestuar edhe viktima tjetër Lena, por në mars të këtij viti, Gjykata e kishte lënë me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.