Atdhedashuria e vërtetë…

Ferid Piku

Atdhedashuria është ndjesi e natyrshme që vetë Zoti e krijoi në zemrën e njeriut.

Atdhedashuria është ndjenjë që e përjetuan dhe e shfaqën edhe profetët e Zotit.

Atdhedashuria është ndjeshmëri që njeriu e trashëgon me pasion brez pas brezi.

Por…

Atdhedashuri e vërtetë do të thotë të falenderosh gjithmonë vendin tënd dhe njerëzit tuaj, sado larg që shkosh e sado lart që të mbërrish, e të mos i shikosh ata me mohim e të mos i përmendësh me nënvlerësim.

Atdhedashuri e vërtetë dmth të promovosh të mirat e popullit tënd dhe të jesh krenar për vlerat e tij, e jo të sajosh “gallata” e të tregosh “barcoleta” që ofendojnë e nëpërkëmbin vetë rracën dhe origjinën tënde.

Atdhedashuri e vërtetë dmth të jesh optimist për të ardhmen e vendit tënd e të punosh për atë të ardhme, e jo të mallkosh vendin ku linde e as njerëzit tuaj, edhe sikur ata të mos të ta dinë vlerën që ke merituar e të mos të ta kenë dhënë hakun që të ka takuar.

Atdhedashuri e vërtetë dmth që flamurin dhe plisin të cilat i mban me krenari në evenimentet kombëtare të mos i njollosësh asnjëherë me mashtrim, tradhëti e abuzim ndaj vendit dhe popullit tënd.

Atdhedashuri e vërtetë dmth që të punosh për vendin tënd edhe sikur në heshtje, dmth të tërheqësh si një “lokomotivë” hallet e popullit tënd, e jo të vraposh për të prerë pa merita shiritin e suksesit të të tjerëve e as të jesh thjesht një parazit që ka hipur mbi “lokomotivën” e patriotizmit.

Atdhedashuri e vërtetë dmth të mos e dëmtosh tokën ku je ushqyer, ujin që ke pirë, ajrin që ke thithur. Dmth të mos e ngushtosh rrugën ku kalon, të mos e bësh pis ambjentin ku jeton, të mos e presësh pemën që të ka bërë hije e as lulen që të ka falur aromë.

Atdhedashuri e vërtetë dmth të falësh njerëzit e gjakut tënd, të dhurosh dashuri e të kesh ndjeshmëri për vuajtjet e popullit tënd, e të mos jesh i dhunshëm ndaj tyre për problemin më të vogël, të mos shpërndash urrejtje e të mos jesh i verbër, egoist e i pashpirt për tjetrin në krah.

Atdhedashuri e vërtetë dmth të reagosh kur tjetrit i bëhet padrejtësi, ta ndihmosh atë kur kërkon ndihmë, t’i dalësh në krahë atëherë kur duhet, e jo të thuash “mjafton që unë jam mirë”, “mua të paktën s’më ndodhi gjë”, “unë shpëtova për veten time”…

Atdhedashuri e vërtetë nuk dmth rracizëm, egocentrizëm e fanatizëm…

Atdhedashuria është krenari për origjinën dhe përkatësinë, por gjithashtu është edhe bashkëpunim për të mirën universale dhe vlerësim për të gjithë njerëzit si krijesa të Zotit.

Hoxhë Ferid Piku