Ata janë Kosova!

Akademik Rexhep Qosja

Duke përkujtuar familjen e Shaban Jasharit, e cila me madhështinë e vetëflijimit është bërë monument historik kombëtar, për 3 ditët e Epopesë së UÇK-së po i botoj 3 fjalime të folura në ceremoni të ndryshme me rastin e Ditëve të Dëshmorëve në vitet 2000, 2002 dhe 2006.

_____________________________________________________________________

2

Fjala në akademinë në kuadrin e manifestimit

Ditët e dëshmorëve, në Teatrin Kombëtar,

në Prishtinë, më 6.3.2002

ATA JANË KOSOVA

Sot po përkujtojmë trimin legjendar Adem Jashari, bëma e të cilit ka hyrë përgjithmonë në kujtesën e popullit.

Po përkujtojmë familjen e Shaban Jasharit, e cila me madhështinë e vetëflijimit është bërë monument historik kombëtar.

Po përkujtojmë të gjithë ata që, me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në ballë, bënë luftën vetëmbrojtëse, që mori karakterin e luftës çlirimtare, për të mbrojtur të drejtën natyrore të popullit të vet që të jetojë i lirë aty ku është dhe ku ishte gjithmonë.

Ne i përkujtojmë dëshmorët tanë, ndërsa në Hagë, ku vazhdon gjyqi i kryekriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq, ngjet njohja botërore, politike dhe morale, e luftës që ata, bashkë me NATO-n, e bënë në Kosovë.

Edhe tre muaj do të mbushen tre vjet prej se ka marrë fund lufta në Kosovë. Kjo nuk është kohë as përafërsisht e mjaftueshme për shërimin e plagëve të luftës, por kjo kohë do të duhej të ishte e mjaftueshme për të krijuar mendimin e drejtë, shkencor, për rolin e UÇK-së në historinë e Kosovës. Ky mendim, ndërkaq, ende nuk mund të quhet i krijuar, sepse mendimi për luftën e UÇK-së ende është mendim ideologjik, partiakisht i përcaktuar dhe i rrëgjuar. Lufta e UÇK-së ende nuk e ka as historianin e vërtetë, as shkrimtarin e as regjisorin.

Thuhet se ngjarjet e ardhshme i shpjegojnë ngjarjet dhe politikën e përparshme. Në sajë të këtij shpjegimi, që e kanë bërë të mundshëm ngjarjet e ardhshme, mund të thuhet se UÇK-ja e ka ndryshuar përgjithmonë historinë e Kosovës.

Për mendjen historike, e cila nuk ngurron t’i shohë qartë e t’i vlerësojë drejt kushtet, në të cilat ka ndodhur historia, lufta e UÇK-së ishte aq më e rëndë, aq më e mundimshme, sepse ishte bërë përballë vështirësive të jashtëzakonshme.

UÇK-ja në të vërtetë e ka bërë të pamundshmen!

Ajo është organizuar në kushte, të cilat gati se e përjashtonin mundësinë e qëndresës së përbashkët: në kushtet e një politike e cila për tetë vjet kishte predikuar dorëheqjen prej së drejtës për vetëmbrojtje të përbashkët, qoftë edhe me protesta.

Ajo kishte përballë një armik më djallëzor se çdo armik në luftë: ajo kishte përballë forcat ushtarake, policore e gjysmushtarake serbe, të cilat nuk i pranonin rregullat botërore të luftës, të cilat nuk luftonin vetëm kundër kundërshtarit në uniformë, por vrisnin e masakronin të madh e të vogël, mashkull e grua, digjnin e rrënonin fshat e qytet, donin të zhdukin një popull!

Pikërisht pse forcat serbe ishin aq mizore e rrethanat e paraqitjes së organizuar, në uniforma, aq kufizuese, UÇK-ja, në fillim do të jetë e pritur me shqetësim, madje, e pa kuptuar prej një numri të madh bashkëkombësish. Ajo në Drenicë bënte luftën që i imponohej, kurse në Prishtinë, në disa qarqe, thuhej e shkruhej:

A janë në veta ata? Kjo është aventurë! Fundi dihet përpara!

Në mënyrë të veçantë ajo ishte e pa kuptuar, madje, e padëshiruar prej udhëheqjeve të partive tona të legalizuara, të cilat nuk do të ngurronin të bënin përpjekje për zhvlerësimin e saj ideologjik, politik dhe, madje, kombëtar.

Pjesëtarët e saj akuzoheshin:

marksistë-leninistë!

stalinistë!

enveristë!

irredentistë!

të frustruar! Dorë e djathtë e Beogradit!

E të tjera!

Ajo kundërshtohej nga partitë e legalizuara, sepse ajo kishte koncept e strategji për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, që ndryshonte prej konceptit e strategjisë së tyre, sepse ajo, me vendosmërinë e saj, me idealizmin e saj, e tregonte johistorike, për më tepër, të dështuar politikën që bëhej gjatë tetë vjetëve të fundit.

Ajo ishte e pa kuptuar edhe nga një numër i intelektualëve në institucione të arsimit, të shkencës e të kulturës. Dhe, ky moskuptim shprehej me ndjenja, kur e kur me gënjeshtra, të folura e të shkruara për kuadrin komandues dhe për vetë UÇK-në në tërësi!

Çka mendojnë ata?

Çfarë ushtrie është ajo?

A e shohin fundin e kësaj ata?

E të tjera.

Në qoftë se shpirtvogëlsinë e këtillë partiake – intelektuale, të treguar me gojë e me shkrim, do ta marrë shpejt era, disa veprime politike që bëhen në Prishtinë e vështirësojnë shumë pozitën politike të UÇK-së. Dhe, këto veprime quhen:

e para, zgjedhjet e ashtuquajtura “të lira e demokratike”, që do të mbahen në kushtet e “rendit demokratik”, siç quhej në shtypin partiak, të vendosur nga regjimi i Millosheviqit!

e dyta, grupet e njëpasnjëshme partiake-intelektuale,G-4, G-6, G-15, për bisedime me palën serbe të krijuara, siç merret vesh tani, mbasi e filloi punën Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës, me ndërmjetësimin e udbashëve dhe të disa bashkëpunëtorëve të tyre nga radhët tona!

Ngjarjet e ardhshme do të tregojnë se të ashtuquajturat institucione që sillnin zgjedhjet dhe e ashtuquajtura paqe që do të sillnin bisedimet e grupeve tona me regjimin e Millosheviqit, do të kishin një rezultat të planifikuar: nxjerrjen e UÇK-së prej lojës politike dhe shpërbërjen e saj, duke e lënë Kosovën, natyrisht, nën zgjedhën nën të cilën ishte!

Mendojeni tani këtë situatë: në Drenicë bëhet luftë! Në Drenicë forcat serbe bëjnë masakra! Në Drenicë bie dëshmor Adem Jashari me 20 anëtarë të familjes, kurse në pjesën tjetër të Kosovës partitë e legalizuara organizojnë “zgjedhje të lira e demokratike” nën terrorin e Millosheviqit! Dhe, më tej: në Kosovë forcat serbe e zgjerojnë terrorin, kurse në Beograd bëhen bisedime midis palës serbe dhe grupit tonë të zgjedhur sipas kriterit të regjimit të Millosheviqit, dhe, natyrisht, pa përfaqësues të UÇK-së!

E thashë se UÇK-ja e ka bërë të pamundshmen, pikërisht të pamundshmen! Në fillim ajo nuk kuptohej as prej faktorëve kryesorë ndërkombëtarë. Disa muaj ata nuk do të flasin për ushtri çlirimtare, po për grupe të ndryshme rebelësh, pa komandë të përbashkët, pa udhëheqje politike të njësuar, që do të mund të pagëzoheshin edhe ndryshe-terroristë, në qoftë se nuk do t’i bindeshin vullnetit të atyre faktorëve! Në fjalorin e tyre për UÇK-në përdoreshin, kështu, togfjalëshit që pëshpëriteshin këtu, në Prishtinë!

Nuk është thënë kot: trimit i vjen edhe zoti në ndihmë.

Kur të binden se UÇK-ja ishte më rrënjëthellë se ç’e kishin pandehur në fillim, se ishte shprehje e vullnetit historik të popullit shqiptar, se koncepti i saj shoqëror ishte demokratik, kurse orientimi properëndimor, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian do ta pranojnë UÇK-në si faktor ushtarak dhe politik në Kosovë. Dhe, fryt i kësaj njohjeje, e kjo do të thotë i luftës vetëmbrojtëse të UÇK-së, janë:

e para, Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje;

e dyta, angazhimi i NATO-s në fushatën e bombardimeve në Kosovë dhe në Jugosllavinë e mbetur, dhe,

e treta, vendosja e trupave të NATO-s me emblemën KFOR dhe e administratës ndërkombëtare në Kosovë.

Dhe, kështu, të pabesueshmen për mendjet që nuk shihnin përtej zyrave, sallave, kabineteve, komoditeteve, UÇK-ja e bëri të sendërtueshme.

Ajo bëri që historia e Kosovës të ndryshojë dhe të mësohet ndryshe, edhe pse të mësohet ndryshe ende nuk ka filluar!

Trimin legjendar, Adem Jashari, dhe dëshmorët e tjerë të UÇK-së i përkujtojmë sot në disa kushte çfarë i kanë dëshiruar ata: i përkujtojmë në Kosovën e lirë, prej së cilës janë nxjerrë ushtria dhe policia serbe që, mund të jemi të sigurt, me fjalë, me buletine, me mbledhje partiake, me artikuj himnizues për qëndresën durimtare, me konferenca shtypi, me vajtjeardhje politike, sidomos me zgjedhje “të lira e demokratike” nën regjimin serb nuk do të nxirreshin jo për 1, jo për 100, por as për 1000 vjetët e ardhshme! Në sajë të luftës vetëflijuese të dëshmorëve e të shokëve të tyre, Kosova bën sot jetë të mëvetësishme, e qeverisur prej ndërkombëtarëve dhe prej kosovarëve. Megjithëse çështja e Kosovës ende nuk është zgjidhur përfundimisht, janë krijuar parakushte që ajo të ketë politikën e vet, ligjet e veta, ekonominë e vet dhe monedhën e BE-së, policinë dhe ushtrinë e vet në krijim e sipër, pa zgjedhën gati njëshekullore të Serbisë e të Jugosllavisë.

Por, Adem Jasharin dhe dëshmorët e tjerë i përkujtojmë edhe në disa kushte e me disa sjellje e veprime çfarë ata nuk i kanë paramenduar në Kosovën e lirë.

Ka dukuri të shumta të rënies shpirtërore e morale.

Shumë njerëz jetojnë në urrejtje e me urrejtje.

Ka ende dukuri dhune me motive etnike. Dhe, kjo e bën anakronike e të shikuar me dyshim në botë vetëdijen tonë shoqërore e morale.

Shumë njerëz mendojnë keq, flasin keq, sillen keq e bëjnë keq!

Korrupsioni është në rritje bashkë me krimin e organizuar ekonomik.

Grupet e interesave kanë uzurpuar ndërmarrje e institucione publike dhe bëjnë çka duan në to e me to!

Dikur mjet i shtetit, censura është bërë mjet i grupeve në mjetet e informimit, të cilat ndaj të censuruarve janë më përjashtues sot se në kohën e komunizmit!

Në kokat e shumë njerëzve zotëron pështjellim i madh në ide e në përcaktime. Ideologjia e lokalizmit përcakton mendimet dhe sjelljet e shumëkujt, madje edhe të disa partive politike. Për herë të parë në historinë e Kosovës nuk dihet deri ku shtrihet atdhetarizmi – deri në Qafë të Morinës apo edhe më tutje – deri në Konispol e në Shkodër. Mund të dëgjohen fjalime të njerëzve në politikë e mund të lexohen shkrime prej të cilave mund të shihet se në mendjet e autorëve të tyre është fshirë kufiri ndërmjet atdhetarisë dhe tradhtisë: se, arsyetohet edhe çka nuk mund të arsyetohet!

Në vende udhëheqëse, në disa institucione publike, ngrihen njerëz, të cilët janë shquar në procesin e përdallimit (diferencimit) ideo-politik, në përndjekjen e intelektualëve krijues dhe në luftën politike kundër idesë së Kosovës Republikë!

Në Kuvendin e Kosovës së lirë nuk kanë pritur të jenë ata që asaj ia kanë dhënë më të shtrenjtën që ka njeriu: jetën, por në Kuvendin e Kosovës, që e lirë është bërë në sajë të gjakut të tyre, janë gjetur vetje që janë ngritur kundër luftës së tyre e që Kosovës s’i kanë dhënë asgjë, pos që e kanë zhvatur sa kanë mundur!

Në Kuvendin e Kosovës nuk është ai që për lirinë e saj ka bërë 28 vjet burgje, por në këtë Kuvend është ai që e ka urdhëruar burgosjen e tij!

Në Kuvendin e Kosovës së lirë nuk është asnjëri prej atyre që për lirinë e saj kanë dhënë miliona dollarë a marka, por në të ka edhe të tillë që kanë marrë pjesë me të madhe në keqpërdorimin e atyre milionave!

Po mirë, mund të përgjigjet dikush, demokracia e nënkupton bashkëjetesën e të kundërtave. Dakord. Për hir të demokracisë po flas , por të demokracisë që s’e pranon sjelljen koloniale! Ne kemi kaluar nëpër gjendje dhune shtetërore shumëvjeçare e pastaj nëpër luftë tragjike; gjatë kësaj kohe dikush është flijuar e dikush ka shikuar se kush dhe si po flijohet dhe ka bërë allishverishe me dreqin e të birin! Të favorizohen të dytët e të diskriminohen të parët – e kjo mund të ngjasë aty ku shprehitë pushtetore koloniale, vetëm sa maskohen me nocionin demokraci. Zbatuesit e kësaj logjike pushtetore do të duhej, ndërkaq, të kenë parasysh se, siç e ka thënë dikush tjetër, veprimet dhe gjendjet politike që janë moralisht të pa qëndrueshme njëkohësisht janë të dënuara në fund të dështojnë edhe politikisht.

Trimin legjendar, Adem Jashari, familjen e Shaban Jasharit dhe dëshmorët e tjerë i përkujtojmë për bëmën e tyre të lavdishme, por i përkujtojmë edhe që të jemi të përkujtuar prej madhështisë morale të shembullit të tyre.

Ata qëndrojnë mbi partitë, mbi politikat e mbi pushtetet!

Ata janë Kosova!

Akademik Rexhep Qosja