Ballina Lajmet Rajon dhe Botë AstraZeneca, e sigurt, tregojnë provat në SHBA

AstraZeneca, e sigurt, tregojnë provat në SHBA

Provat në Shtetet e Bashkuara tregojnë se vaksina AstraZeneca është e sigurt dhe 79% e efektshme kundër koronavirusit, sipas Universitetit britanik të Oksfordit, partner me kompaninë farmaceutike në krijimin e kësaj vaksine.

Universiteti i Oksfordit tha në një njoftim për shtyp të hënën se vaksina AstraZeneca është “e sigurt dhe shumë e efektshme, edhe sipas të dhënave nga provat e mëparshme në Britani, Brazil dhe Afrikën e Jugut, si dhe bazuar tek të dhënat praktike në Mbretërinë e Bashkuar”.

AstraZeneca tha në një deklaratë se analiza e sigurisë dhe efikasitetit në SHBA bazohej në provat me 32,449 pjesëmarrës. “Efikasiteti i vaksinës ishte i qëndrueshëm në të gjitha etninë dhe moshat. Veçanërisht, te pjesëmarrësit e moshës 65 vjeç e lart, efikasiteti i vaksinës ishte 80%,” thuhej në deklaratë.

“Vaksina përballohej mirë dhe bordi i pavarur i monitorimit të sigurisë së të dhënave (DSMB) nuk identifikoi asnjë shqetësim sigurie,” tha AstraZeneca.

Disa vende evropiane kohët e fundit e pezulluan përdorimin e AstraZeneca-s për shkak të raporteve se vaksina ishte e lidhur me mpiksjen e gjakut. Por Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), tha se vaksina ishte e sigurt dhe efektive në betejën kundër koronavirusit.

Bashkimi Evropian tani po merr masa për të mos lejuar eksportet e vaksinës AstraZenica të dërgohen në Britani nga një fabrikë në Hollandë.

Gjermania mund të vendosë bllokime të reja qytetesh për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Rreth një e treta e popullsisë së Francës është nën bllokime pas fillimit të zbatimit të masave të premten në Paris dhe në disa rajone në veri dhe jug të vendit.

Në Shtetet e Bashkuara, zyrtarët në destinacionin e njohur turistik Miami Beach të Floridës zgjatën edhe për tre javë të tjera orën policore që fillon në 8 të mbrëmjes. Të shtunën, dhjetra njerëz u arrestuan për shkelje të rregullave. Zyrtarët thonë se që nga 1 marsi atje janë arrestuar 1,000 persona.

Të shtunën, policia përdori lëndë irrituese për të shpërndarë turmat e pushuesve që kundërshtonin orën policore. /voa

Exit mobile version