Në një komunikatë për media AKK ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Qeveria të mbulojë shpenzimet e komunave që dalin nga kontrata kolektive, të rimbursojë mjetet e shpenzuara nga komunat dhe mos të bllokojë xhirollogaritë e komunave.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, pasi që është nënshkruese e kontratave kolektive përmes ministrive me sindikatat përkatëse, të parasheh mbulimin e plotë buxhetor të shpenzimeve që burojnë nga kontratat kolektive në buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025 dhe për vitet vijuese përmes Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve: Qeveria e Republikës së Kosovës, të rimbursoj mjetet e shpenzuara deri më tani nga komunat për obligimet financiare që rrjedhin nga kontratat kolektive; Të mos lejohet bllokimi i xhirollogarive të komunave për arsye të përmbarimeve si rrjedhojë e obligimeve të kontratave kolektive”, thuhet në komunikatë.
Kryetari i AKK-së, Agim Aliu tha se shpreson që kërkesat e tyre do të merren parasysh dhe shqyrtohen nga ekzekutivi.