Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Majori Giovanni Fungo, me bashkëpunëtorë, vizitoi Podujevën dhe u prit nga kryetari i Komunës, Agim Veliu, njofton kumtesa komunale.
Gjatë takimit, Veliu e informoi komandantin e KFOR-it për gjendjen e sigurisë, por edhe me aktivitetet dhe investimet e bëra në ndërtimin e infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik të Komunës së Podujevës.
“Podujeva është një komunë e qetë me trend të rënies së kriminalitetit në vazhdimësi. Kemi koordinim të shkëlqyeshëm me KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe Këshillin e Bashkësisë Islame, kurse gjendjes së mirë të sigurisë i kontribuojnë edhe qytetarët tanë të gjitha komuniteteve ”, tha Veliu.
Kryetari Veliu përmendi edhe një fakt tjetër të mirë, duke thënë se deri tash nuk është evidentuar asnjë rast që ndonjë qytetar i Komunës së Podujevës të ketë shkuar në luftëra të huaja, konkretisht në konfliktin e Lindjes së Mesme.
Komandanti i KFOR-it tha se e gëzon fakti që situata e sigurisë është e qetë dhe stabile, duke pasur parasysh faktin se Komuna e Podujevës është ndër komunat kryesore të Kosovës, e cila kufizohet me Republikën e Serbisë.