Kombëtarja e Shqipërisë në futboll po vazhdon me përgatitjet për “Euro 2024”, ndërsa atmosfera brenda kampit “kuqezi” është shumë e mirë.
Të gjithë lojtarët janë të gatshëm për të dhënë maksimumin, ndërsa Kristjan Asllani e Arlind Ajeti kanë shprehur emocionet para fillimit të Evropianit që do të mbahet në Gjermani.
Mesfushori i Interit, Asllani ka thënë se pret edhe përkrahjen e madhe të shqiptarëve pasi insiston se tifozët i japin motiv të madh Shqipërisë.
“Do shkojmë me shumë dëshirë për të luajtur ndeshjet, janë shumë të bukura. Mezi po pres, sidomos ndeshjen e parë me Italinë. Ne i presim tifozët të shumtë, na kanë ndihmuar edhe në kualifikuese. Kjo është një ndeshje e veçantë për mua. Siç edhe thashë, mezi po pres që të futem në fushë. Tifozët shqiptarë janë zjarr dhe mezi po i pres që t’i shoh e të jemi të bashkuar”, tha Asllani.
Ngjashëm sikurse Asllani është shprehur edhe mbrojtësi Ajeti, i cili do të paraqitet në Evropianin e dytë me Shqipërinë. Ajeti ishte pjesë e Shqipërisë edhe në “Euro 2016”.
“Besoj që tifozët nuk kanë nevojë për thirrje, në çdo ndeshje na kanë ndihmuar dhe besoj që edhe në dy ndeshjet miqësore do të jenë pranë nesh. Çdo ndeshje do jetë speciale në Evropian, nuk mund të them Italia, Kroacia apo Spanja. Çdo ndeshje është speciale dhe do të bëjmë maksimumin”, tha Ajeti.
Para se të niset drejt Gjermanisë, Shqipëria në ditët e para të qershorit do t’i luajë dy ndeshje miqësore në Hungari. Më 3 qershor do të përballet me Lihtenshtajnin, ndërsa katër ditë më vonë do të luaj edhe kundër Azerbajxhanit.