Na ishte një grua, e cila kërkonte diçka më shumë sesa thjesht shkëlqimi i kësaj jete. Ajo nuk ia lejonte vetes të kushtëzohej nga rrethanat e dhimbshme që përjetonte. Brenda vetes, ajo kishte një besim aq të thellë, saqë ishte e gatshme të jepte edhe jetën për të. Ajo grua ishte një mbretëreshë, e megjithatë shikonte përtej froneve dhe pallateve të kësaj bote. Prej pallatit të kësaj bote, ajo pa pallatin në Botën e Përtejme.
E kishte emrin Asija dhe qe grua faraoni. Për të, përshkrimi i mësipërm nuk ishte thjesht një dëshirë zemre. Ajo dëshirë, asaj i ishte trupëzuar në një dukje të gjallë.
E kam dëgjuar historinë e Asijas shumë herë dhe çdo herë që e dëgjoj, lë gjurmë tek unë. Kohët e fundit, historia më shënjoi thellë, por kësaj radhe për një arsye krejt të ndryshme.
Para disa muajsh po kaloja një sprovë të rëndë. Në kësi momentesh është e paçmueshme prania e shpirtrave të bukur përreth teje. Kur je në vështirësi, të mjafton të shkruash vetëm një mesazh, një status në Facebook, apo një e-mail, dhe një armatë e tërë shpirtrash të bukur do t’i nisin menjëherë lutjet për ty.
Kështu veprova. Kërkova dhuratën më të bukur që një qenie njerëzore mund t’i bëjë një tjetre. U kërkova të bënin lutje të sinqerta për mua. Ajo çka ndodhi, më tronditi së tepërmi. Nuk kam për ta harruar kurrë atë dhuratë prej Zotit. Pati njerëz që u lutën për mua në namaz nate, në Qabe, në udhëtim, e madje edhe në çastet e sjelljes në jetë të një fëmije. Lexova aq shumë lutje që bëheshin për mua, e megjithatë një mesazh në veçanti, më rrëqethi trupin. Ishte një mesazh i thjeshtë, ku shkruhej:
“Zoti ta mundësoftë që të të shfaqet para syve shtëpia jote në Parajsë, në mënyrë që çdo sprovë të të bëhet e lehtë për t’u kaluar!”
Kjo ishte një lutje që të trondiste!
Teksa isha në atë gjendje, m’u kujtua historia e Asijas, e krejt papritmas kuptova një të vërtetë të mrekullueshme. Asija po jetonte torturën më të madhe që mund të kalojë një njeri. Faraoni ishte tirani më i madh që kishte parë bota. Ai nuk ishte vetëm sundimtari i saj, por edhe i shoqi. Në çastet e fundit të jetës, Faraoni nisi ta torturonte tepër rëndë atë. Por ndodhi diçka tepër e çuditshme. Asija buzëqeshi. Ajo po kalonte torturën më të tmerrshme që mund të kalojë një qenie njerëzore, por prapëseprapë buzëqeshi.
Si është e mundur kjo? Si është e mundur që ajo të torturohej dhe në të njëjtën kohë të buzëqeshte, ndërkohë që ne nuk durojmë dot as kur ngecim në trafik, apo kur dikush na sheh vëngër?
Si është e mundur që disa njerëz që s’kanë asnjë problem, nxjerrin ankesa nga hiçi, ndërkohë që të tjerë me halle palë-palë, nuk ankohen aspak? Si është e mundur, që ndonjëherë ne kemi më shumë durim përgjatë sprovave të rënda që hasim në jetë, sesa në vogëlsitë e përditshme?
Më parë mendoja se sprovat janë të vështira, për shkak se disa gjëra janë vërtet të rënda për t’u duruar. Mendoja se sprovat ishin të vendosura sipas një hierarkie standarde. Për shembull, vdekja e një njeriu të dashur është padyshim shumë herë më e rëndë për t’u përballuar sesa një gjobë trafiku, kjo dihet dhe është e kuptueshme.
Por, ky është një perceptim i gabuar.
Niveli i lehtësisë apo i vështirësisë së një sprove matet me një tjetër shkallë, me atë të padukshmen. Ajo që unë kaloj në jetë është e lehtë ose e vështirë, jo sepse është e tillë në vetvete. Lehtësia apo vështirësia e sprovës bazohet vetëm në shkallën e ndihmës hyjnore. Asgjë, po asgjë s’është e lehtë, nëse Zoti nuk e bën atë të tillë për mua. Madje as ngecja në trafik. As një e prerë e vockël me letër.
Dhe po ashtu, asgjë s’është e vështirë nëse Zoti e lehtëson atë për mua. As sëmundja, as vdekja, e as torturat e një tirani.
Asija po torturohej fizikisht, por Zoti i shfaqi para syve shtëpinë e saj në Parajsë. Prandaj, ajo buzëqeshi. Ne nuk mund ta shohim dot me sy Parajsën në këtë botë, por në dashtë Zoti, dëshira që kemi në zemër dhe përfytyrimi për shtëpinë tonë atje, do të na e bëjnë të lehtë çdo sprovë. E ndoshta, edhe ne do të mund të buzëqeshim në ato çaste të rënda…
Fragmente nga libri “Riktheju zemrës”, nga Yasmin Mogahed