sambleja e qytetarëve* ose Bashkësia e vendit (Landsgemeinde) e Kantonit Glarus ka vendosur me shumicë të madhe votash kundër ndalimit të bartjes së burka-s, mbulesës së plotë të grave myslimane. Raporti në këtë votim ishte në përpjesëtimin 2 me 1 kundër ndalimit, shkruan srf.ch. Një qytetar i këtij kantoni, Ronald Hämmerli nga SVP e kishte bërë iniciativën për ndalim të mbulesës së grave për arsye sigurie, transmeton albinfo.ch. Ai këtë e ka ilustruar edhe me mbulimin (maskimin) e tifozëve në ndeshjet e futbollit dhe hokejit, të cilët pastaj ushtrojnë dhunë. Veç kësaj, ai e ka arsyetuar nismën e tij me kundërshtimin ndaj shtypjes së gruas.
Por, kundërshtarët kanë menduar ndryshe. Sipas tyre rregullat mbi veshjet nuk bëjnë pjesë në kushtetutë dhe liria në këtë drejtim nuk guxon të kufizohet.
Kryetari i Kantonit, Rolf Widmer ka theksuar se nevoja e veprimit sa i përket burka-s në këtë kanton është minore dhe për këtë arsye qeveria ashtu si dhe parlamenti i Kantonit e hedhin poshtë ndalimin në fjalë për momentin aktual.
Deri tash në Zvicër vetëm kantoni Ticino e ka ndaluar burka-n ndërsa janë duke u zhvilluar aktivitete edhe për ndalimin në nivel nacional.
* Asambleja e qytetarëve është shprehje e demokracisë së drejtpërdrejtë, një “institucion” burimor zviceran që shërben si tubim i të gjithë qytetarëve me të drejtë vote për të vendosur për një çështje. Si relikt i të kaluarës ai vazhdon të praktikohet në disa komuna dhe kantone kryesisht rurale të Zvicrës. Sigurisht, për shkaqe të kuptueshme, teknike etj. në një asamble të tillë nuk mund të marrin pjesë të gjithë qytetarët, por llogaritet shumica e atyre që janë të pranishëm.
________________________________________________________________________
Asambleja e qytetarëve e Glarusit voton kundër ndalimit të burka-s