Ballina Autorë Opinione As madhështia e mysafirit nuk e mbuloi vogëlsinë e nikoqirëve!

As madhështia e mysafirit nuk e mbuloi vogëlsinë e nikoqirëve!

Që të mos del se, për cilëndo arsye, u shmangem pyetjeve të gazetarëve lidhur me vizitën e Kryeministrit të Kosovës në Tetovë e Shkup, ta them shkurt e qartë: ajo nuk shpërfaqi asgjë të re që nuk dihet dhe nuk është ndonjë fenomen i ri të cilin është duke e promovuar Albin Kurti.
Kjo vizitë është në vazhdën e ‘traditës’ politike që Tirana e Prishtina zyrtare të kenë ‘filialet’ e veta politike në Maqedoni, e madje të bëjnë garë se cila nga ato ka më shumë ndikim te shqiptarët e këtushëm.
Andaj edhe ka ndodhur që, kur partia shqiptare në pushtet nuk u ka dhënë mjaftueshëm dreka e darka zyrtarëve të Tiranës apo Prishtinës, apo kur nuk ua ka mbrojtur sa duhet biznes interesat e tyre, burrështetasit e atdhe Kosovës dhe të mëmëdhe Shqipërisë, t’i kenë përçarë partitë e këtushme që të mos mbeten pa ‘copëzën’ e vet
Pra vizita e Kryeministrit të Kosovës në Tetovë e Shkup është në vazhdën e traditës tredekadëshe të demokracisë shqiptare, traditë që e përfshinë ‘ritualin’ që sa herë drejtuesve të partive shqiptare në Maqedoni t’u has sharra në gozhdë, ata të shkojnë në Tiranë e Prishtinë dhe të fotografohen me burrështetasit e atjeshëm, duke e ripërtëri kështu ‘licencën’ e atdhetarisë.
Apo e kundërta: sa herë që merrej vesh, për shembull, se burrështetasit e Prishtinës janë anëtarë të ‘Klanit Pronto’, ‘shefi’ i kësaj vëllazëria, ta mbush thesin me dekorata dhe të vijë t’ua shpërndajë ato personaliteteve të shqiptarëve të Maqedoni, duke u premtuar kalimthi se është e do mbetet gardian i epur i tyre.
Dhe deri këtu çdo gjë është e njëjtë si në të shkuarën kur burrështetasit e Kosovës dhe të Shqipërisë interesoheshin për shqiptarët e Maqedonisë vetëm aq sa edhe për mishin e gicit të pjekur që e hanin në Shkup në drekat me liderët maqedonas dhe për atë të qengjit të ngrënë në Tetovë me kryesuesin e BDI-së.
Ajo që këtë vizitë e bënë të veçantë nga gjitha të tjerat është frika e klasës politike maqedonase nga Albin Kurti, e të cilin e adhuron shumica e shqiptarëve të Maqedonisë. Frikë që buron nga e vërteta se ai është model krejt tjetër krahasuar, për shembull, me Kryeministrin e Shqipërisë, të cilin e pëlqejnë thuajse të gjithë ‘hajdutokratët’ e Ballkanit sepse atij i mungon ajo që e ka të thekuar Kryeministri i Kosovës; idealin për mirëqenien e popullit të vet të kudondodhur!
Këtë vizitë e bënë të veçantë edhe e vërteta se rrallë ka ndodhur që partia qeveritare në Prishtinë të mbështetë partitë opozitare në Maqedoni. E që nuk ndodh pse këtë e donte Kryeministri i Kosovës por pse BDI-ja prej moti është kapur në rrjetin e projektit serb për ‘Ballkanin e Hapur’, e ku e çoi Kryeministri aktual i Shqipërisë.
Sidoqoftë Kryeministri i Kosovës u takua me drejtuesit e partive që i lindi partia e sotme shqiptare në pushtet, me çka del se ai donë t’i forcojë bijat e saj, e ta dobësojë nënën e tyre – BDI’në.
Ndërkohë u bë shumë zhurmë e panevojshme lidhur me këtë vizitë me çka u mbulua e vërteta se as pritja madhështore e Kurtit në Tetovë e Shkup nuk ia doli ta mbulojë vogëlsinë e drejtuesve të partive të këtushme opozitare shqiptare, e të cilët u lodhën duke u shtyrë mes vete që të fotografoheshin sa më pranë Kryeministrit të Kosovës, mbase duke e ditur se ajo fotografi do jetë vlera e vetme e madhe e tyre politike.
Të merremi vesh; autori i këtij teksti e ka mbështetur dhe e mbështetë Kryeministrin e sotëm të Kosovës. Edhe atë për një arsye shumë të thjeshtë: sepse ai është politikani më i mençur që e ka shqiptaria dhe është burrështetas që ka ideal, që është i gatshëm ta flijojë vetveten për shqiptarinë e jo shqiptarinë për të mbetur në pushtet.
Por e gjithë kjo, artikullshkruesit nuk ia pamundëson ta thotë një të vërtet: për Albin Kurtin të tjerët vlejnë vetëm për aq sa e adhurojnë dhe e mbështesin atë!
Madje më duket se ai jeton me bindjen se shqiptari i vërtet edhe nuk ka zgjidhje tjetër përpos ta përkrahë atë. Ku ta dish, ndoshta edhe nuk gabon gjithaq shumë, posaçërisht kur e sheh se cilët janë burrështetasit që e drejtojnë Shqipërinë e Maqedoninë dhe cilët janë drejtuesit e partive shqiptare të kudondodhura.

Nga: Kim Mehmeti

Exit mobile version