Letërsia e mirëfilltë nuk ka qenë asnjëherë më shumë në vështirësi sesa përballë regjimeve politike që në kuadër të sundimit tërësor të shoqërisë janë përpjekur ta ndalojnë, ta fshehin, ta lënë në heshtje, ta gjunjëzojnë, ta burgosin e ta djegin në turrën e druve përballë turmave të ekzaltuara që e urrejnë verbërisht kandilin që mund t’u hapë sytë e zemrës dhe të shpirtit.
Nuredin NAZARKO, Korçë
Të shkruash letërsi të mirëfilltë asnjëherë nuk ka qenë e lehtë. Të shkruash, të bësh që bardhësia e letrës të mbajë ngjyrat e shpirtit njerëzor dhe t’i ruajë ato për brezat që vijnë, është dhuratë që jo çdokujt i jepet. Shumë duan të shkruajnë, por pak e gjejnë muzën. Shumë mendojnë se të shkruash nuk është ndonjë gjë e madhe, por pak marrin kurajë për të hedhur në letër gjendjet e tyre. E shkruara nuk e shter asnjëherë atë që shpirti kërkon të thotë. As nuk mund ta përjetësojë me fjalë atë që njeriu përjeton. Edhe pse ajo që përjetohet tejkalon ndjeshëm atë çfarë shkruhet, e shkruara mbetet gjurmë e rëndësishme që kumton shumëçka për autorin, kohën kur jetoi, përjetimet shpirtërore, dëshirat dhe vegimet mbi të ardhmen.
Letërsia e mirëfilltë nuk ka qenë asnjëherë më shumë në vështirësi sesa përballë regjimeve politike që në kuadër të sundimit tërësor të shoqërisë janë përpjekur ta ndalojnë, ta fshehin, ta lënë në heshtje, ta gjunjëzojnë, ta burgosin, ta djegin në turrën e druve përballë turmave të ekzaltuara që urrejnë verbërisht kandilin që mund t’u hapë sytë e zemrës dhe të shpirtit. Përtej mureve të akullt të izolimit, ajo jo vetëm është shkruar, por edhe ka shkuar tek shpirtrat e lirë, sepse nuk ka regjim politik që sado brutal të jetë, të thyejë etjen e shpirtrave për liri.
Liria, pa të cilën as njeriu nuk mund të jetë njeri, është qëllim i çdo shkrimtari që dhuntinë për të shkruar e vendos në shërbim të virtyteve dhe jo në shërbim të interesave meskinë. Në çdo regjim politik, e veçanërisht në ato totalitare, shkrimtarët janë në luftë të madhe me veten. Të shkruajnë atë që u dikton frymëzimi shpirtëror, apo të ulen e të bëjnë kompromisin e madh me regjimin? Të pranojnë sakrificat e panumërta për të krijuar në kushte ndonjëherë të paimagjinueshme apo të përfitojnë nga të mirat që ofron regjimi për të tillë njerëz dhe të vijojë jetën sikur të mos ketë ndodhur asgjë?
Për Shqipërinë realizmi socialist në letërsi dhe jo vetëm u bë vija ndarëse e këtyre dilemave. Kush pranoi kompromisin iu hapën dyert e karrierës, shpërblimet me poste, punë të mirëpaguara, mirëqenie materiale kur të tjerët jetonin në kushte mbijetese shpesh ekstreme. Këto privilegje i ndoqën edhe pas ndryshimeve të sistemit politik dhe ekonomik. Emri dhe fama e krijuar në kushtet e kompromisit, i ndoqi edhe në vitet e përpjekjeve për demokratizim, duke vazhduar të zënë hapësirat mediatike, duke qenë në qendër të vëmendjes dhe duke u bërë dhe etalon vlerësimi për shkrimtarët e rinj, që duke i krahasuar me famën e këtyre të duken sa më të vegjël e sa më të pavlerë në letërsinë e ditëve të sotme.
Të privilegjuarit e djeshëm e kanë të vështirë të pranojnë realitetin e ri, në të cilin nuk do të diktojnë plotësisht me dinastitë e tyre sferën e artit dhe kulturës. Në mungesë të dinastive, hapësirat për krijuesit e rinj ngushtohen, vështirësohen rrugët për të dalë në dritë botimet për arsye financiare, si dhe lihen jashtë vëmendjes mediatike. Veç kësaj, shkrimtarët e rinj në ditët e sotme përballen dhe me indiferencën në rritje ndaj leximit të letërsisë. Kjo indiferencë ushqehet edhe nga zelltarët e së djeshmes teksa i dëgjon të thonë se letërsi dhe art bëhej atëherë, tani ka vdekur çdo gjë. Ç’të lexosh sot?! Këta të sotmit nuk dinë të shkruajnë.
I tremb fakti që liria për të shkruar mund të nxjerrë në dritë emra që mund të shuajnë famën e idhujve të tyre. Edhe pse sot liria për të shkruar e publikuar, me financime personale nëse i ke, në rrjete sociale pa pagesë, është e pakufizuar, vlera e të shkruarit nuk ka humbur edhe pse shkruan kush të dojë. Letërsia ka marrë goditje nga çoroditja dhe indiferentizmi ndaj leximit, por edhe është hapur udha për të menduar e reflektuar mbi atë që do të shkruhet.
A duhet shkruar për t’u pëlqyer masave, pushtetit, për të fituar admirimin dhe lavdet e tyre? Apo duhet shkruar për t’i shërbyer me përulësi së drejtës, së mirës, virtyteve? A duhet të jenë shkrimtarët të shqetësuar për përhapjen masive të veprës së tyre apo më shumë se kaq duhet të shqetësohen për përmbajtjen e asaj që hidhet në letrën e bardhë? A duhet shkrimtarët e rinj të përpiqen të imitojnë emrat e mëdhenj të letërsisë botërore ose ndonjë shkrimtar të preferuar, apo të krijojnë duke qenë sa më autentikë ashtu siç muza ua dikton? A duhet të shtrëngojnë veten për të dhënë imazhin e një njeriu të madh e perfekt apo të jetojnë natyrshëm si krijesa njerëzore, por që fati i ka bekuar me një dhunti që jo çdokush e meriton, edhe pse ka shumë që e pretendojnë?
Secili që rreket kësaj udhe zgjedh vetë se si do të jetë krijesa e tij e ardhshme, një imitim apo një gdhendje e vështirë dhe frymëzuese për kohën që jeton dhe brezat që do të vijnë. Nuk ka rëndësi se kush shkruan, kush boton, kush publikon në rrjete sociale. Fusha është e hapur për të gjithë. Koha do ta tregojë vlerën e asaj që është shkruar. Lexuesit do të dinë t’i japin vendin e duhur çdo vepre.
Nëse një vepër ngjall përsiatje e frymëzim, prek zemra dhe shpirtra njerëzorë ajo është vepra që nuk i druhet çoroditjes dhe indiferencës. Kush shkruan sot, le të mos shqetësohet për hapësirën e vogël dhe rrethin e ngushtë të njerëzve që lexojnë. Ajo që shkruhet me shpirt nuk shuhet e as nuk humbet. Do ketë gjithmonë njerëz që shërbimin ndaj virtyteve dhe sakrificën për lirinë do t’i kenë të shenjta. Kush shqetësohet për lavdet tokësore, humbet në thellësinë e shtresave të tokës bashkë me krijesën e vet.
Njerëzit duan të dëgjojnë e të lexojnë atë që u mbush shpirtin, jo regjistrat e statistikave. Shkrimtarët e rinj duhet të lexojnë kohën që jetojnë dhe të ndjekin vegimet që lindin prej vlerave mbarënjerëzore, për të shkruar atë që pluhuri i kohës do t’i japë më shumë vlerë. /revistashenja