Aty ku s’ka rend, rregull dhe disiplinë, s’mund të flitet për arsim cilësor. Në shtetin me shkallë të lartë korrupsioni s’mund të ketë arsim cilësor. Bota po përballet me një krizë të të mësuarit. Ndërsa vendet kanë rritur dukshëm qasjen në arsim, të qenët në shkollë jo gjithmonë prodhon dije. Në mbarë botën, qindra miliona fëmijë arrijnë moshën madhore pa përfituar aftësitë më themelore, siç është llogaritja e saktë e ndryshimit ndërmjet dy numrave, leximi i udhëzimeve të mjekut ose i orarit të autobusit.
Lulzim ALIU, Kërçovë
Rezultatet e testimit “PISA 2022” nuk paraqitën ndonjë befasi për sistemin arsimor të vendeve të Ballkanit. Rezultati ishte i pritur – dihej që këto vende do të gjendeshin nga pjesa e poshtme e tabelës për nga arritja e rezultateve. Të gjithë faktorët që ndërlidhen me sistemin arsimor shfaqin bindjen se sistemet arsimore të vendeve të Ballkanit, por edhe më gjerë, sot më nuk prodhojnë dije dhe nuk zhvillojnë kompetenca te nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Këtë e konfirmon edhe testimi i PISA-s, por vetëm numra (nota) dhe të dhëna statistikore e administrative. Dhe për çudi, më shumë shfaqim habi kur kjo publikohet si rezultat i një testimi ndërkombëtar, siç është PISA, dhe jo si fakt që e di secili.
Në shoqërinë tonë, gjithsecili e di se çfarë nuk bën dhe cili është fajtori për këtë, por askush nuk merr përgjegjësi se përse është një gjendje e tillë. Arsimi i lartë (fakulteti, universiteti), që prodhon kuadër mësimdhënësish, thotë që nuk e ka brumin e duhur për të prodhuar kuadër të mirë. Kryesisht nxënësit mesatarë ose nënmesatarë vazhdojnë të studiojnë në drejtimet arsimore dhe kjo ka bërë që të ulet cilësia dhe kriteri në fakultet, ndërsa kështu prodhohet kuadër jo mjaftueshëm cilësor. Pra, fajin e ka shkolla e mesme, që nxjerr maturantë me vlerësime të larta, por me dije të pakta. Shkollat e mesme thonë që sistemi i arsimit fillor prodhon nxënës me nivel të ulët të njohurive edhe përskaj suksesit të shkëlqyeshëm (shumica e nxënësve kanë notë mesatare 5), kjo si rezultat i asaj se në arsimin fillor nuk u guxuaka të përsëritet dhe çdokush duhet ta kryejë arsimin fillor. Këta nxënës të tillë bëhen pjesë e arsimit të mesëm, që në shtetet e këtij regjioni është i obligueshëm. Rezultati i ulët në shkolla fillore është si rrjedhojë e mësimdhënësve të dobët, që i kanë prodhuar institucionet e arsimit të lartë, pra nuk ka mësimdhënës që do ta kryenin punën me përkushtimin e duhur dhe me kapacitetet që i nevojitet arsimit fillor. Ndërkaq, prindërit, familja, shoqëria thonë se mësimdhënësit janë të papërgatitur dhe nuk arrijnë që t’i zhvillojnë kompetencat e duhura te nxënësit e shkollës fillore. Ky është qarku, ku gjithsecili e hedh përgjegjësinë te tjetri, por epilogu është që nxënësit, maturantët e studentët sot janë më pak të aftë për t’u gjetur në jetë në mënyrë të pavarur. Kuptohet, me përjashtime individuale.
Çfarë është dhe ç’paraqet PISA?
PISA (Programme for International Student Assessment), përkatësisht Programi Ndërkombëtar për Testimin e Njohurive dhe të Zgjuarsive të Nxënësve, është hulumtimi arsimor botëror më i madh që Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) e zbaton prej vitit 2000 në vendet anëtare të OECD-së dhe në vendet partnere, kjo me qëllim të grumbullimit të të dhënave për krahasim ndërkombëtar për cilësinë, efektivitetin dhe drejtësinë e sistemeve arsimore. Përpos për dijet dhe për shkathtësitë e nxënësve, PISA grumbullon të dhëna edhe për
faktorët individualë, shkollorë dhe sistemorë, që ndikojnë në arritjet e nxënësve dhe i ofron
treguesit për zhvillimin e politikës arsimore. Testimi PISA rëndom mbahet në muajin prill në shkollat e mesme. Nxënësit 15-vjeçarë testohen për njohuritë që i kanë marrë gjatë arsimimit fillor. Me fjalë të tjera, këtu s’kemi të bëjmë me njohuritë që i merr nxënësi në arsimin e mesëm. Në shtetet dy e më tepër etnike duhet parë se çfarë rezultati kanë korrur nxënësit sipas bashkësive etnike veçmas, por edhe në rang nacional. Organi që merret me punën e testimit PISA i publikon rezultatet në shkallë shteti dhe jo sipas bashkësive etnike. Mbase më mirë që veprohet kështu. Ndryshe, për ndonjërën prej bashkësive etnike rezultatet do të kishin qenë akoma më zhgënjyese dhe më dëshpëruese.
Hulumtimi “PISA 2022” është cikli i tetë i hulumtimit në të cilin marrin pjesë 81 vende. Lëmi kryesor i testimit është njohuria matematikore, ndërsa njohuritë në fushën e shkencave të natyrës dhe të leximit janë lëmenj dytësorë të testimit. Në këtë cikël të hulumtimit testohet edhe lëmi inovativ: të menduarit kreativ i nxënësve.
Me vendim të përbashkët të OECD-së dhe të vendeve pjesëmarrëse, hulumtimi kryesor i PISA-s 2021 u shty për një vit për shkak të pandemisë Covid-19. Për këtë arsye cikli i tetë i hulumtimit u emërtua si “PISA 2022”.
Sipas të dhënave të testit PISA për vitin 2022, të shpallura më 5 dhjetor 2023, shumica e nxënësve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në njohuritë e matematikës, të leximit dhe të shkencave të natyrës janë nën mesataren e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). Në këtë hulumtim ndërkombëtar në fushën e arsimit për vitin 2022 kanë marrë pjesë rreth 690.000 pesëmbëdhjetëvjeçarë nga 81 vende të botës.
Kroacia e ka zënë vendin e 36-të. Në testimin nga matematika ajo është e para ndër vendet e rajonit. Serbia ndodhet në vendin e 42-të. Në matematikë Mali i Zi ndodhet në vendin e 54-të. Nën Malin e Zi renditen Maqedonia e Veriut, Shqipëria (e 67-ta) dhe Kosova (e 74-ta). Me një diferencë minimale, rezultatet për Maqedoninë e Veriut e ruajnë nivelin që ishte në vitin 2018. Nga gjithsej 81 vende që ishin pjesë e testimit, me 389 pikë të fituara, vendi ynë sipas rezultateve të matematikës është në vendin e 61-të. Me 359 pikët e arritura në matjen e shkrim-leximit gjuhësor, lexim me kuptim, jemi renditur në vendin e 71-të, ndërsa në shkencat natyrore nxënësit tanë shënuan 380 pikë, që e rendit vendin tonë në vendin e 68-të në Europë.
Ka shtete të cilat rezultatet e pakënaqshme në testim i ndërlidhin me ndikimin e pandemisë Covid-19 në procesin arsimor. Por 31 vende, përkundër pandemisë, kanë arritur rezultate të njëjta si në vitin 2018. Madje, ka shtete që kanë dalë më mirë se në testimin paraprak. Midis tyre janë Australia, Japonia, Koreja e Jugut, Singapori dhe Zvicra. Rezultatet e tyre janë mbi mesataren e OECD-së dhe lëvizin prej 487 deri në 575 pikë, në krahasim me 472 sa është mesatarja e vendeve të OECD-së.
Testi PISA fare nuk i ngjan testimit tradicional ose klasik që realizohet e zbatohet nëpër shkolla. Në testimin PISA nuk kemi të bëjmë me formula matematikore. Në lexim nuk flitet për gramatikë ose për letërsi. Ky testim ka të bëjë me logjikën e nxënësit dhe me kreativitetin e tij. Ky testim kërkon të dijë sa është i aftë nxënësi 15-vjeçar të logjikojë dhe të gjykojë me kokën e vet. Nxënësit që do t’i nënshtrohen testimit caktohen nga institucionet e arsimit. Testimit nuk i nënshtrohen të gjithë nxënësit. Sistemi i arsimit i një vendi është i lidhur ngushtë me shkallën e zhvillimit ekonomik të atij vendi. Aty ku s’ka rend, rregull dhe disiplinë s’mund të flitet për arsim cilësor. Në shtetin me shkallë të lartë korrupsioni s’mund të ketë arsim cilësor.
Bota po përballet me një krizë të të mësuarit. Ndërsa vendet kanë rritur dukshëm qasjen në arsim, të qenët në shkollë jo gjithmonë prodhon dije. Në mbarë botën, qindra miliona fëmijë arrijnë moshën madhore pa përfituar aftësitë më themelore, siç është llogaritja e saktë e ndryshimit ndërmjet dy numrave, leximi i udhëzimeve të mjekut ose i orarit të autobusit. Imagjinoni këta fëmijë kur të prindërojnë se si mund ta përmbushin edukimin e fëmijëve të tyre.
Arsimi e ndikon pozitivisht kapitalin njerëzor, nga i cili përfitojnë individët dhe shoqëritë. Për individët, arsimi e ngre vetëvlerësimin dhe i rrit mundësitë për punësim dhe të ardhura. Për një vend, ai ndihmon në forcimin e institucioneve brenda shoqërive, e nxit rritjen ekonomike afatgjatë, e redukton varfërinë dhe e nxit inovacionin.
Një nga arsyet kryesore pse kriza e mësimit vazhdon është se shumë sisteme edukimi në të gjitha vendet në zhvillim kanë pak informacion se kush po mëson dhe kush jo. Si rezultat, ndryshimi për ta përmirësuar situatën është i vështirë. Shkollat dhe mësuesit duhet t’i përgatisin nxënësit me aftësi së paku në lexim dhe shkrim. Nxënësit duhet të jenë në gjendje të interpretojnë informacione, të formojnë mendime, të jenë krijues, të komunikojnë mirë dhe të jenë bashkëpunues.
Përvoja ka treguar se kriza e arsimit është, në thelbin e saj, një krizë mësimore. Nxënësit që duan të mësojnë kanë nevojë për një mësues të mirë, por shumë sisteme edukativo-arsimore i kushtojnë pak vëmendje asaj që mësuesit e dinë dhe çfarë bëjnë ata në klasë. Por, ka raste që në vende ku sistemet arsimore janë të dobëta, ekzistojnë mësues që shkëlqejnë me aftësitë e tyre.
Sistemi arsimor në vendin tonë, por edhe në shumë vende të botës, është i fokusuar kryesisht në përmbushjen e kërkesave administrative dhe statistikore. Shumë pak i kushtohet vëmendja e duhur esencës, aspektit përmbajtësor të përfitimit të dijes dhe aftësimit të nxënësve për të menduarit kritik dhe të pavarur. Marrja e dijes është pa dyshim e rëndësishme. Nxitja e një aftësie të qëndrueshme për mësim jo vetëm do t’i pajisë fëmijët për një botë që ndryshon me shpejtësi, por gjithashtu do t’u japë aftësinë për ta aplikuar dijen e tyre në mënyrë efektive dhe për të udhëhequr nëpër kompleksitetin e situatave të ndryshme. Prandaj, një kornizë arsimore holistike që integron të dyja, përfitimet e marrjes së dijes dhe kultivimit të aftësive të mësimit, janë të nevojshme për të përgatitur nxënës që me sukses do të integrohen në një shoqëri dinamike dhe në zhvillim.
Përse sot kemi një sistem arsimor me qasje të këtillë?
Arsimi sot, shpesh, është i fokusuar në përmbushjen e statistikave dhe përqendrohet në memorizimin e fakteve më shumë sesa në zhvillimin e një kuptimi të thellë dhe një logjike të përmbajtjes. Ka disa faktorë që mund ta shpjegojnë këtë prirje:
Testet e standardizuara dhe evaluimi: Sistemet arsimore janë të fokusuara në përmbushjen e testeve të standardizuara dhe formave të tjera të vlerësimit, që shpesh përqendrohen në dije të përcaktuara dhe të lejuara për të përmirësuar rezultatet e vlerësimit. Kjo mund të çojë në një përqendrim më të madh në fakte dhe informacion të përcaktuar, duke kufizuar zhvillimin e aftësive kritike dhe analitike. Shumica e sistemeve arsimore vlerësohen përmes testeve të standardizuar, të cilat shpesh përqendrohen në dije specifike.
Presioni i notave dhe konkurrenca: Në shumë raste, nxënësit janë nën presionin e notave dhe duhet të konkurrojnë mes veti për të arritur sukses. Kjo mund të bëjë që ata të përqendrohen më shumë në memorizimin e fakteve dhe të dhënave, të përmbajtjeve të caktuara për të siguruar rezultate të mira.
Mungesa e resurseve dhe kohës: Mungesa e resurseve, materialeve didaktiko-mësimore dhe kohës së nevojshme në dispozicion për mësim mund të kufizojë aftësinë e mësuesve për të shpërndarë njohuritë në një mënyrë më thelbësore dhe për të ndihmuar në zhvillimin e aftësive logjike. Shpeshherë, mungesa e kohës dhe nevoja për të mbuluar materien e caktuar mund të çojë në mungesë të thellësisë në trajtimin dhe përpunimin e temave, sipas programeve lëndore dhe në përputhje me konceptin për arsimin fillore ose të mesëm dhe strategjinë shtetërore për arsim. Kjo mund ta zvogëlojë mundësinë e nxënësve për të zhvilluar aftësi analitike dhe njohuri thelbësore.
Roli dhe integrimi i teknologjisë në procesin mësimor: Në një epokë ku qasja deri te informacioni është e lehtësuar nga teknologjia, disa shkolla mund të kenë prirje të fokusohen në marrjen e informacionit të lehtësuar në vend të promovimit të kuptimit të thellë dhe aftësive logjike. Sot shumë nxënës nuk janë në gjendje të realizojnë operacione themelore matematikore, meqë aplikojnë formën më të thjeshtë duke përdorur celularët ose pajisje të teknologjisë. Trendi i zhvillimeve të kohës do të bëjë që edhe në fusha të tjera mos të zhvillohen aftësi konjitive, mendore, por atë ta bëjë një aplikacion i cili do ta përdorë inteligjencën artificiale (IA). Ndërhyrjet teknologjike, përfshirë qasjen e lehtë në internet dhe burimet e shumta të informacionit, mund të çojnë në një përqendrim më të madh në marrjen e informacionit të lehtësuar në vend të analizës së thellë dhe njohurive të thellësishme.
Ndryshimet sociale dhe ekonomike: Ndryshimet sociale në strukturat shoqërore dhe ekonomike mund të sjellin një fokus më të madh në përgatitjen e studentëve për tregun e punës, duke favorizuar njohuritë dhe aftësitë praktike mbi zhvillimin e aftësive analitike. Edhe sistemi arsimor duhet përshtatur me këto ndryshime, duke bërë që të zhvillojë kompetenca të cilat do ta bëjnë të përgatitur nxënësit për tregun e punës brenda një shoqërie. Sistemet arsimore të vendeve të Ballkanit kryesisht prodhojnë kuadër me përgatitje teorike dhe me mungesë të theksuar të aftësive/shkathtësive praktike.
Për të ndryshuar këto paradigma, sistemet tona arsimore kanë nevojë për një qasje të përgjegjshme në krijimin e politikave arsimore, te mësimdhënësit dhe shoqëria në përgjithësi. Inkurajimi i një qasjeje më holistike (gjithëpërfshirëse) ndaj arsimit, e cila përfshin zhvillimin e aftësive kritike dhe analitike, e cila do të krijonte një mjedis më të përshtatshëm për të përgatitur nxënës për sfidat e një shoqërie të ndryshueshme dhe komplekse.
Gjendja, stadi, në të cilën gjendet sistemi ynë arsimor, por edhe i vendeve të regjionit, ashtu siç e paraqesin edhe rezultatet e testimeve të standardizuara nacionale dhe ndërkombëtare kërkon ndërhyrje të shpejtë dhe serioze. Veçanërisht në fushat që zhvillojnë kompetenca konjitive, logjike, komunikuese, kreative dhe shkencore.
Për të përmirësuar kompetencat e nxënësve në fushat e leximit, matematikës dhe shkencave, është e rëndësishme të përdoren strategji integrale që përfshijnë të gjithë aktorët e përfshirë në arsim, duke përfshirë mësuesit, shërbimet profesionale të shkollave, këshilltarët arsimor, inspektoratin arsimor, qendrat e provime, prindërit edhe politikanët. Disa strategji konkrete mund të përfshijnë:
Përmirësimi i kualitetit të mësimit dhe mësimdhënies: Investime në zhvillimin e kapaciteteve të mësuesve përmes trajnimeve dhe programeve të avancimit profesional, përsosje dhe avancim i vazhdueshëm i mësimdhënësve. Përdorimi i metodave inovative të mësimdhënies dhe të përshtatshme për të përfshirë më shumë shembuj praktikë dhe projekte bazuar në zbatimin e njohurive.
Ndryshimi i kurrikulave (programeve lëndore), konceptit arsimor dhe strategjisë për arsim: Rishikimi dhe përditësimi i kurrikulave për të përfshirë përmbajtje mësimore më relevante dhe të lidhura me situatat e përditshme dhe sfidat e botës së sotme, por duke ruajtur dhe kultivuar edhe vlerat morale, kombëtare e kulturore. Përditësimi i programeve dhe përmbajtjeve mësimore për të reflektuar zhvillimet më të fundit në fusha të ndryshme shkencore dhe teknologjike.
Fokusimi në lexim, shkrim dhe të lexuarit me kuptim: Promovimi i kulturës së leximit në shkolla, si dhe përfshirja e aktiviteteve të leximit jashtë orarit të mësimit në shkollë. Inkurajimi i aftësive të zhvilluara të shkrimit dhe analizës së teksteve, duke përfshirë edhe përmirësimin e aftësive të shprehjes së vetes. Përdorimi i strategjive mësimore që do ta zhvillojnë të lexuarit me kuptim. Kjo vërehet si e metë në testimet e kryera dhe që procesi mësimor do të zhvillonte jashtëzakonisht proceset mendore dhe inteligjencën e fëmijëve.
Klasifikimi i nxënësve në arsimin fillor, sipas modeleve të vendeve të Europës perëndimore: Arsimi fillor dhe i mesëm në vendin tonë dhe në vendet e regjionit është i detyrueshëm dhe, si rrjedhojë e kësaj, në arsimin fillor, veçanërisht cikli i ulët, ka bërë që nxënësit të mos përsërisin edhe në rastet kur nuk e përmbushin nivelin minimal të njohurive. I tillë është edhe arsimi mesëm i detyrueshëm për të gjithë nxënësit. Kjo ka sjellë që gjithsecili të ndjekë mësim në arsimin fillor e të mesëm. Dhe, kur ta kryej këtë, pse të mos vazhdojë edhe më tej kur në shtetet tona ka në çdo cep një derë të hapur universitare?! Pa kriter kualifikues mund të regjistrohesh në çdo institucion të lartë arsimor. Që të mos ndodh ky varg, mendoj që modeli i shkollave të vendeve perëndimore është më i dobishëm edhe për vetë nxënësit, por edhe për shoqërinë – klasifikimi i nxënësve që në shkollë fillore sipas nivelit të njohurive dhe aftësive që kanë. Që në shkollë fillore duhet të kryhet ndarja dhe përcaktimi i tyre se në ç’drejtim mund ta vazhdojnë më tej shkollimin. Ata duhet të aftësohen për drejtime të arsimit të mesëm profesional ose të përgjithshëm. Kjo do të ishte me interes shumëdimensional. Nxënësit do të aftësoheshin për profesione dhe fusha të ndryshme, ndërkaq sektorit të biznesit dhe shoqërisë do t’i krijohej kuadër profesionistësh, që do të ishin të gatshëm për tregun e punës. Vendet tona sot kanë mungesë të mjeshtërve të profesioneve të ndryshme. Një sistem i tillë arsimor, me zhvillimin e arsimit të mesëm profesional, me theks të veçantë arsimimi dual, do të ofronte zgjidhje edhe për problemin shoqëror e shtetëror.
Politika arsimore të përgjegjshme: Pa mëdyshje që sistemi i dobët arsimor gjeneron edhe shoqëri të dobëta, si dhe moral e edukatë të ulët. Që kjo të përmirësohet duhet patur kuadër të përgatitur e të profiluar mirë. Institucionet e arsimit të lartë janë ato që e prodhojnë këtë kuadër. Sot, politikat e arsimit të lartë janë të fokusuara në prodhimin e kuadrit pa kriter dhe në masë, pa mbajtur llogari se ku do të vazhdojë më tej. Nëse këtë e shohim nën prizmin e përgjegjësisë shoqërore, fakultetet e mësuesisë duhet të jenë strumbullari i krijimit të kuadrit me cilësi të lartë, që do të bëhej pjesë e shkollave më pas, atyre shkollave që ne ua besojmë fëmijët për t’i kalitur e edukuar. Zgjidhja e kësaj katrahure të krijuar mbase do të ishte me revidimin e programe studimore, me qasje më të rreptë në akreditimin e tyre ose me krijimin e një institucioni të lartë arsimor i cili do të prodhonte kuadër/mësimdhënës për arsimin fillor dhe të mesëm. Ky problem, kjo mungesë, nuk plotësohet me forcë pune nga jashtë. Për këtë ka përgjegjësi shteti dhe ai duhet të mbajë llogari për përmbushjen e tij, duke i mbështetur, me atë që do ta rrisë përqindjen e buxhetit që ndahet për arsimin dhe shkencën.
Institucionet kompetente për krijimin e politikave arsimore, siç janë ministritë e arsimit, byrotë për zhvillim të arsimit, entet pedagogjike, inspektorati arsimor, qendrat dhe bordet e akreditimit, janë skajshmërisht të politizuara dhe të partizuara. Të vetëdijshëm që këtë s’mund ta çrrënjosim edhe për një kohë, ajo që mund dhe duhet bërë është që në krijimin e strategjive arsimore, hartimin e koncepteve dhe programeve lëndore të kryhen nga personat kompetentë dhe apolitikë, nga profesionistë të institucionit ose të jashtëm. Sot, krijimin e politikave arsimore i kryen ekipi i ngushtë i menaxhuesit të institucionit (ministrit, drejtorit), të cilët në të shumtën e rasteve janë militantë partiakë dhe jo profesionistë që kanë vijimësi në atë institucion. Duhen zhvilluar politika arsimore që inkurajojnë inovacionin dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit, si dhe investime të rritura në arsim, duke përfshirë infrastrukturën, burimet dhe trajnimin e mësuesve. Këto strategji duhet të jenë pjesë e një plani të përgjithshëm afatgjatë për ta përmirësuar cilësinë e arsimit dhe për të përgatitur nxënës për sfidat e një shoqërie të ndryshme, dinamike dhe komplekse. /revistashenja