Arsimi shqip në Kosovë gjatë viteve të 90-ta sipas një reportazhi të redaktorit të gazetës “Al Ahram” të Egjiptit 

Dr. Nuridin Ahmeti

Me rastin e aprovimit nga Parlamenti i Kosovës të projektligjit për Statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99

ARSIMI SHQIP NË KOSOVË GJATË VITVE TË 90-ta SIPAS NJË REPORTAZHI TË REDKATORIT TË GAZETËS “AL-AHRAM” TË EGJIPTIT

Amir Sulltani, kryeredaktor i të përditshmes “Al-Ahram” të Egjiptit, në vitet e 90-ta, vjen për një vizitë në Kosovë, konkretisht në Prishtinë.  Si drejtues dhe përgjegjës i njërës prej gazetave më të mëdha të Egjiptit, në reportazhin e përgatitur gjatë kësaj vizite, hapësirë më të madhe do t’i kushtoj çështjes së arsimit në Kosovë, konkretisht shkollimit të shqiptarëve, sepse, sipas tij, shqiptarëve të Kosovës arsimi ua ruan “identitetin e tyre kombëtar dhe fetarë”. Edhe titulli që i ka vënë reportazhit të tij është shumë domethënës dhe përmbajtësor: “Arsimi në Kosovë, luftë për identitet”.[1]

Shkrimin autori e fillon nga data 23 mars të vitit 1989, kohë kjo kur, sikurse dihet, fillojnë ndryshimet kushtetuese të cilat aprovohen në asokohe Kuvendin e Krahinës së Kosovës, me një fjalë, kjo datë shënon ndërrimin e kushtetutës së vitit 1974.[2] Ky veprim i një pjese të delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës duke ngritur gisht për votim, nënkuptonte suprimimin e autonomisë së Kosovës nga Federata e Jugosllavisë së atëhershme, duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë. Kjo datë dhe ky vit për autorin e reportazhit, me të drejtë, ishte “fillimi i ndarjes së pa kthim në mes të shqiptarëve të Krahinës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Po r risjellim këtë reportazh për shumë arsye, por do t’i përmendim tri prej tyre:

E para– shkrimi i publikuar në këtë formë në një gazetë të Botës Arabe, ku diktati mbi medien është i theksueshëm, tregon shumë. Në një farë mënyre apo tjetër reflekton edhe politikën e atij vendi karshi vendit tonë.

E dyta– me sa jemi në dijeni është nga reportazhet e vetme të shkruara nga gazetat e Lindjes për gjendjen dhe arsimin e këtyre viteve në Kosovë.

E treta, gazeta “Al-Aharam” është një nga gazetat më numër më të madh të lexuesve dhe më më ndikim në Egjipt dhe në Botën Arabe.

 

Arsimi në Kosovë luftë për identitet

Largimi me dhunë i shqiptarëve nga shkollat, largimi i personelit shqiptarë dhe studentëve nga Universiteti i Prishtinës dhe vendosja e tyre në objekte private shkollore, përben thelbin e këtij reportazhi. Por, sipas mendimit tonë, ky kontribut shkrimor praqet gjendjen reale të shqiptarëve dhe gjendjen arsimore të tyre në vitet e 90-ta. Autori i shkrimit, Amir Sulltani, nuk heziton të shprehet se në Universitetin e Prishtinës apo, siç e quan ai, “Universiteti Paralele Shqiptarë “ filloi misioni im i zbulimit se çka po ndodhte me identitetin e shqiptarëve të Kosovës”.

Lidhur me problematikën e arsimit në Kosovë gjatë këtyre viteve, autori kishte zhvilluar një takim edhe me Radivoje Papoviçin, rektorin e dhunshëm serb të Universitetit të Prishtinës, të cilin e kishte vendosur Sllobodan Millosheviqi. Ky i fundit, pra Sllobodan Millosheviqi, e kishte vendosur në atë pozitë jo për ndonjë merite të veçantë, por siç theksonte me plotë të drejtë autori i reportazhit, kjo kishte ndodhur sepse Papoviqit i qe besuar kjo pozitë për arsye se “urrejtja e tij ndaj shqiptarëve ishte e njohur për të gjithë”.

Është për t’u theksuar, se autori i shkrimit gjatë rrugës ku ishte vendosur në Prishtinë e deri te ndërtesa e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, ku e priste rektori i dhunshëm Papoviq, ai nënvizon dhe shpreh disa shqetësime të tij, duke i paraqitur edhe në shkrim. Shqetësimet e tij janë këto:

  1. Gjatë rrugës në muret e universitetit ai sheh të shkruar në gjuhën angleze parullën ”Universiteti është serb” dhe “Unë jam serb, andaj unë jam njeri i përkryer”.
  2. Mbishkrimet në gjuhën shqipe janë fshirë.
  3. Refuzimi i sekretares së Papovoqit ndaj autorit të shkrimit për të hyrë në zyrën e tij edhe

pse kishte lenë takim, me arsyetimin se nuk mund të hynte të Papoviqi, sepse ai me vete e kishte marrë një përkthyes shqiptar me emrin Hasan Nexhipi dhe ajo, sekretarja e rektorit, e merr përsipër përkthimin nga serbishtja në anglisht, gjë të cilën e pranon autori i shkrimit, por ky veprim për autorin e reportazhit është edhe një argument se serbët nuk dëshirojnë assesi të bashkëjetojnë me shqiptarët.

 

Radivoje Papoviqi urrejtës i shqiptarëve në Kosovës

Edhe nga biseda që autori i reportazhit zhvillon me Papoviqin vëren qartë urrejtjen që ky njeri shpërfaq ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Në pyetjen e gazetarit se si mund t’ua impononte shqiptarëve një sistem mësimor serbë, në kohën kur shqiptarët janë shumicë në Kosovë? Papoviqi i përgjigjet- se ata janë shumicë në Kosovë, por janë pakicë në Serbi dhe sipas tij duhet doemos të mësojnë sipas rregullave që vendos Serbia.

Derisa gazetari insiston para Papoviqit, se shqiptarët duhet ta kenë universitetin, sepse universiteti është ruajtës i identitetit kombëtar dhe fetar, për rektorin e dhunshëm nuk është universiteti mjet për ruajtjen e identitetit, identiteti është serbizimi dhe patjetër shqiptarët e Kosovës, sipas tij, duhet ta respektojnë.

Më një fjalë, të gjitha veprimet antishqiptare të pushtetit serbë ndaj shqiptarëve të Kosovës për Papoviqin ishin në rregull. Edhe parullat antishqiptare, të cilat gazetari i kishte parë të shkruara në muret e universitetit, edhe objekti i Kishës Ortodokse Serbe i vendosur në pronën e universitetit janë në rregull, sepse për parullat e shkruara Papoviq shprehet se nuk i kishte parë, ama parulla të shkruara sipas tij mund t’i hasesh çdo kund në vendet e botës, kurse Kisha Ortodokse Serbe e kishte vendin aty, sepse është simbol i Shtetit Serb. Por, në asnjë mënyrë për Papovoqin nuk benë që në oborr të Universitetit të ndërtohet ndonjë objekte fetarë i shqiptarëve edhe në qoftë se ata dëshirojnë të kthehen në Universitet, rregullat e të cilit i kishte vënë pushteti serbë.

Nga fillimi e deri në fund të bisedës, gazetari  tregon për urrejtjen e Papoviqit për shqiptarët, i cili në fund të bisedës me gazetarin Amir Sulltani, shprehet: ”Ata, pra shqiptarët, nuk mund të mësojnë sipas plan-programeve dhe gjuhës së tyre, shteti nuk është i obliguar të jap pëlqim për këtë”.

 

Puna në Universitet po vazhdon

Por, për ta plotësuar reportazhin e tij, për të cilin edhe kishte ardhur gazetari nga Kajroja, i bënë një vizitë edhe Universitetit të Prishtinës-palës shqiptare, të cilët ishin të vendosur në objektet private, me theks të veçantë ky kishte biseduar me Rektorin e atëhershëm të Universitetit Zejnel Klemendi[3] dhe zëvendësin e tij Ahmet Geca.[4] Në pyetjen e gazetarit se cila është gjendja e arsimit në Kosovë? Profesorët Kelmendi dhe Geca përgjigjen fillimisht duke treguar vitin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, i cili është viti 1970 dhe menjëherë përmendin vitin 1989, ku ndër veprimet e atëhershme të pushtetit serb ndaj shqiptarëve ishte dhe mbyllja e Universitetit të Prishtinës. Ata tregojnë për largimin e kuadrove shkencore nga Universiteti dhe Qendra Klinike Universitare, duke përdoruar metoda të ndryshme të dhunës, më një fjalë, pushteti serb “shkatërroi çdo send që frymonte shqip apo kishte lidhje me shqiptarët”- do të shpreheshin ata.

Me gjithë metodat e përdorura nga pushteti serb, intelektualët e kohës, ishin të detyruar të bënin zgjidhje për arsimimin e popullatës shqiptare, duke hapur Universitetin paralel, edhe pse torturat në forma të ndryshme nuk kishin pushuar ndaj kuadrit, studentëve e rektorit të Universitetit të Prishtinës. Puna vazhdonte në Universitetin e Prishtinës, fakultetet e së cilit Universitet, tani më ishin të vendosur në shtëpi privatë,[5] me një numër të studentëve, siç tregonin dy drejtuesit kryesor të Universitetit të Prishtinës, “mbi njëzetmijë”.

Shkruesi i reportazhit pas takimit që pati me Rektorin Kelmendi dhe z. Geca, pothuajse të njëjtat pyetje që ia kishte parashtruar më herët Papoviqit, ua kishte bërë edhe këtyre, por në përgjigjet  e tyre, Profesor Kelmendi dhe Profesor Geca, do të jenë të drejtpërdrejtë. Duke e demantuar me argumente çdo mendim të Papoviqit, por njëkohësisht, duke treguar edhe fytyrën e vërtetë të rektorit të dhunshëm.

Ndonëse biseda e zhvilluar e shkruesit të reportazhit me Profesorët Kelmendi dhe Geca është relativisht e gjatë dhe me përgjigje konkrete ndaj rektorit të dhunshëm Papoviq, ne po i sjellim vetëm dy prej përgjigjeve të tyre që i japin gazetarit në formë demanti për atë se çfarë kishte thënë Papoviqi më herët.

Papoviqi mendonte se Universiteti nuk ka të bëjë asgjë me ruajtjen e identitetit, por për të njëjtin mendim Profesorët Kelmendi e Geca përgjigjen” Është krejtësisht normale që Universiteti të jetë institucioni më i lartë për ruajtjen e identitetit. Asnjë komb në botë nuk mund ta paramendojë ekzistencën e tij pa universitet, për arsye se qytetarët e atij vendi, nuk mund të përparojnë e as të zhvillohen në mungesë të arsimimit të lartë, të cilin e siguron universiteti. Me rastin e Kosovës, serbët mendojnë se pranimi i ekzistimit të universitetit për shqiptarët dhe në gjuhën shqipe nga ana e tyre do të thotë pranim se ne jemi shumicë, ndërkohë që ata dëshirojnë të vërtetojnë se ne jemi vetëm pakicë”.

Në mendimin e Papoviqit se pakicat në kuadër të shtetit tjetër nuk mund të kenë universitet, përgjigja e Profesorëve tanë ishte: ”Ky konstatim nuk është i qëndrueshëm. Në shumë vende evropiane kemi pakica, numri i të cilave nuk arrin as dyqind mijë banor, e që kanë universitete në gjuhë e tyre, siç është rasti i Suedisë, për shembull. Për këtë është e drejt e jona që ne të mos e pranojmë sistemin e arsimit të Serbisë, në kohën kur ne jemi shumicë në Kosovë. Nëse serbët duan të na privojnë nga arsimimi në gjuhën shqipe, përse atëherë nuk na kthyen në objektet shkollore dhe universitare, të cilat i kemi ndërtuar me kontributet tona, kurse ata të ndërtojnë shkolla dhe universitet shtetëror apo privat me mjete e tyre apo të qeverisë serbe. Në jemi të vetëdijshëm se ata nuk do të na kthejnë objektet shkollore apo universitare, sepse ata duan që ne të mos mundemi të vazhdojmë projektin tonë kombëtar të arsimimit. Por ne nuk do të ndalemi derisa ta realizojmë projektin tonë në tërësi, edhe nëse realizimi i tij do të na kushtojë me flijimin e të gjithë shqiptarëve”.

 

Apeli e redaktorit për ta ndihmuar arsimin në Kosovë

Për një gazetë prestigjioze siç është “Al-Ahrami” dhe për një gazetar serioz si Amir Sulltani, nuk ishte e mjaftueshme vetëm marrja e opinionit për gjendjen e arsimit universitar në Kosovë dhe vendosja e këtyre opinioneve në letër. Por më shumë se kaq, gazetari i njohur duke hulumtuar gjendjen e arsimit shqip në Kosovë, formon bindjen se gjendja faktike e arsimit të shqiptarëve është e rëndë dhe për këtë ai vendos  t’ju drejtohej organizatave të Botës Arabe që t’u dalin në ndihmë institucioneve arsimore të Kosovës, qoftë materialisht, por edhe duke u siguruar bursa studentëve, me qëllim që të përgatisin kuadrin shkencor, i cili kuadër do të ishte mbrojtës i identiteti të shqiptarëve, deri sa Kosova të behej shtet i pavarur.

 

Përfundim

Nga reportazhi i shfletuar për disa herë radhazi, mund të konstatohet se autori Amir Sulltani, paraqiti një gjendje reale të rrezikut me të cilin po përballej identiteti shqiptarëve të Kosovës në vitet e 90-ta.

Marrja e mendimit të dy palëve për gjendjen arsimore në Kosovë, asaj serbe e cila arsyetonte largimin e shqiptarëve nga objekte shkollore dhe asaj shqiptare të Kosovës të cilët ishin larguar dhunshëm nga objektet e tyre dhe prezantimi i këtyre opinioneve para lexuesit arab, është tregues se autori i shkrimit z. Sulltani ishte objektiv dhe korrektë në paraqitjen e gjendjes arsimore në Kosovën e viteve të 90-ta.

Qëllimi i shkrimit të këtij autori mund të kuptohet edhe nga apeli për ndihmë arsimit shqip në Kosovë që ky e bënë në fund të reportazhit të tij.

[1] Amir Sulltan, “Arsimi në Kosovë, luftë për identitet”, Takvim, nr. 47, BIK, Prishtinë, 2016, f. 347-356.

[2] Kosova në vështrim enciklopedik, ASH-QESH, Tiranë, 1999, f. 127.

[3] Prof. dr. Zejnel Kelmendi (1937-). Mjek kirurg angjiolog (vaskular), doktor i shkencave, veprimtar politik. Lindi në Preshevë. Kreu shkollën e mesme në Prishtinë dhe ndoqi studimet e larta e u diplomua në Zagreb (1958-1964). Shërbeu si kirurg i përgjithshëm në spitalet e Gjilanit e Prishtinës. Prej vitit 1972 ishte pedagog në katedrën e kirurgjisë të Fakultetit të Mjekësisë të UP, dekan i FM(1992-1996) dhe rektor i UP (1997-2004).  Veprimtar e aktivistë gjatë viteve të 90-ta në Kosovë. Fjalori Enciklopedik Shqiptar 2, ASHSH, Tiranë, 2008, f. 1149.

[4] Prof. dr. Ahmet Geca. Ligjërues dhe dekanë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës dhe Pro-rektorë i Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 1993-2001. Universiteti i Prishtinës 1970-2005, UP, Prishtinë, 2005, f. 75.

[5] Kosova vështrim monografik, ASHAK, Prishtinë, 2011, f. 408-410.