Arsimi gjatë dinastisë Abasite

Në fund të vitit 2013, rezultatet e Programit më të fundit për Vlerësim Ndërkombëtar (në Piza) u publikuan nga Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD) të cilat shpesh konsiderohen grupi më ndikues i rezultateve të testeve në botë. Ky raport tregon se ekonomitë e Azisë Lindore kanë performuar më mirë në përgjithësi, duke pretenduar kështu shtatë nga 10 vendet më të larta për matematikë, letërsi si dhe në renditjen e shkencave të tjera. Kjo u ndoq më pas nga ekonomitë evropiane dhe të Amerikës Veriore. Megjithatë qysh nga fillimi i çdo indeksi, sërish mbetet e qartë se bota myslimane mbetet shumë mbrapa pjesës tjetër të botës. Vendi më i lartë i vendit me shumicë myslimane ishte ai i Turqisë në vendin e 44.

Në librin e tij ‘Reforma Radikale’ (2009) Tarik Ramadan citon se “sistemet arsimore zyrtare në shoqëritë me shumicë myslimane janë pothuajse të gjitha me të meta dhe në krizë. Nga Afrika në Azi dhe anembanë Lindjes së Mesme, çdokush mund të vejë re si nivelet e papranueshme të analfabetizmit apo edhe sistemeve dhe metodave që vrasin të menduarin kritik si dhe që përforcojnë të mësuarin përmendësh dhe padrejtësitë sociale. Reformat nevojiten urgjentisht, pasi çdo projekt hapjeje apo demokratizimi është i dështuar të dështojë nëse popullatat mbahen analfabete apo funksionalë analfabetë, apo edhe nëse arsimimi i tyre është i bazuar në mungesën e të menduarit kritik, apo në përforcimin e ndasive shoqërore apo edhe në mbrojtjen e interesave të elitës.”

Nëse ne fillojmë me një histori të shkurtër të dijes dhe të mësuarit në botën myslimane, edhe një shqyrtim sipërfaqësor do të mund të zbulonte se përvoja myslimane përbëhet nga një epokë e artë mes shekujve të nëntë dhe të trembëdhjetë. Kjo rastisi me periudhën e Abasidëve (750-1258) e cila provoi se ishte periudha e artë e dijes myslimane. Në ditët e sotme kriza është kaq akute saqë Ali A. Allawi tek ‘Krizat e Civilizimit Islam’ (2009) arrin në përfundimin se “prodhimi krijues i 20 apo 30 milion myslimanëve të epokës së Abasidëve e kalon prodhimtarinë e gati një miliard e gjysmë myslimanë të epokës moderne. Në shkencë dhe teknologji shifrat janë me të vërtetë të frikshme-dhe të dëshpëruara. Nëse do të përdornim statistikat…..e gjithë bota myslimane ka kontribuar 1,17 përqind të botimeve shkencore të botës, krahasuar kjo me vetëm 1,48 % vetëm nga Spanja.”

Abasidët qeverisën një perandori të madhe nga Bagdadi, kur ai ishte kryeqyteti i lulëzuar i botës Islame. Për rreth 500 vjet qyteti lëvdohej me ajkën e intelektualëve dhe kulturës, një reputacion ky i fituar gjatë mbretërimit të kalifëve al Rashid (809 ) al Memun (833 ), al Mu’tadhid (902) dhe al Muktafi (908 ). Ajo ishte qyteti më i pasur i botës dhe qendra e zhvillimit intelektual, duke qenë kështu e dyta në madhësi vetëm pas Kostandinopojës,me afro gjysmë milionë banorë.

Arsyeja se përse Bagdadi kishte mbërritur dhe ruajtur një kulm të tillë ishte për shkak se këto kalifë e kishin marrë si mision vetjak, mbledhjen e punimeve konkrete shkencore globale. Kalifët abasidë jo vetëm që e inkurajuan studimin porse ata urdhëruan edhe diskutimin publik dhe themeluan shkolla ku, përveç letërsisë arabe, teologjisë, filozofisë, gramatikës, retorikës fizikës, astronomisë studioheshin edhe degë të tjera të shkencave. Njerëzit të cilët qëndronin në piedestalin e zhvillimeve dhe zbulimeve anembanë gjithë perandorisë u mblodhën së bashku.

Tashmë le të shqyrtojmë sistemin arsimor që ishte i përhapur gjatë periudhës së sundimtarëve Abasidë.

Nën udhëheqjen e Abasidëve arsimimi i fëmijëve fillonte në shtëpi. Në moshën 6 vjeçare djemtë pranoheshin nëpër shkolla dhe sipas Al Gazaliut (1058-111) “ishte atëherë kjo periudha kur fillonte arsimimi zyrtar.”

Shkollat fillore u ngritën krejt natyrshëm në gadishull. Shkollat u mbajtën nëpër xhami, në shtëpi private dhe ndonjëherë edhe në shtëpitë vetjake të mësuesve. Përveç xhamive kishte edhe “Maktab” të cilët shërbyen si shkolla fillore. Arsimimi i ofruar gjatë periudhës së hershme të Abasidëve solli një ngjashmëri të mëvonshme në arsimimit në kishë në Evropë. Programi mësimor i shkollave fillore përbëhej nga leximi, shkrimi, gramatika, traditat Profetike, parimet elementare të matematikës si dhe disa poema devotshmërie.

Hitti thoshte se përgjatë gjithë programit mësimor, puna me kujtesën u theksua posaçërisht.

Studentët e klasave më të larta studionin kritikën Kuranore, shkencën e traditës apostolike, jurisprundencën, teologjinë skolastike, retorikën e leksikografisë dhe letërsinë.

Dijetarët e përparuar u thelluan edhe në studimin e Astronomisë, Filozofisë, Gjeometrisë, Muzikës dhe Mjekësisë. Arsimimi i përbashkët ishte norma e periudhës abaside, vajzat dhe djemtë të moshës së vogël arsimoheshin së bashku në të njëjtën shkollë.

Tek vajzat pritshmëria ishte që të lexonin Kuranin si dhe të fitonin njohurinë fetare. Ato që vazhduan dhe u bënë mjeshtra të teologjisë si dhe të subjekteve të tjera, u morën në mësimdhënie si profesionistë dhe ne gjejmë disa gra teologe si figura madhore mësuesish publik.

Në veprën i tij më të fundit “Al Muhaddithat”, Shejh Ekram Nadëi përshkruante dhe citonte se kur ai e filloi kërkimin e tij në lidhje me dijetaret femra të Islamit, ”Mendova se mund të ishin nga tridhjetë në dyzetë gra,” porse teksa studimi vazhdoi, shifrat e dijetareve femra filluan të rriteshin gjithnjë e më shumë, derisa më në fund ata nuk ishin më pak se 8000 biografi të zbardhura. Një numër i tillë i madh dëshmon me të vërtetë rolin madhor që gratë kanë luajtur në ruajtjen dhe zhvillimin e predikimit Islam qysh prej kohës së Profetit të bekuar Muhamed.

Dobia e mësimdhënies ishte e shtrirë në mënyrë të barazvleshme ndaj të varfërve, madje edhe disa skllevër u pranuan në shkolla. Sistemi i emërimit të mësuesve privatë për fëmijët ishte në modë për rangun e personave të pasur të shoqërisë.

Sistemi i emërimit mësues privatë për fëmijët ishte në trend në mesin e personave të pasur të shoqërisë. Gjendeshin tre lloje mësuesish në periudhën e Abasidëve:

1) Lloji i parë i mësuesve u mësonte thjesht Kuranin fëmijëve në shkollën fillore dhe quhej “Mualim”. Pozita shoqërore e “Mualim” nuk konsiderohej shumë e shquar. Shprehja: “Mos kërkoni ndonjë këshillë nga mësuesit e shkollave fillore” fitoi një përdorim proverbial.

2) Lloji i dytë i mësuesve mund të quhej mësuesi privat “Muaddib”, i cili përfaqësonte një klasë e cila ishte e angazhuar në mësimdhënien ndaj shtresës më të lartë si fëmijëve të princave apo kalifëve. Kjo klasë ishte superior ndaj mësuesve të shkollës fillore.

3) Të tretët, vinin mësuesit e studimeve të larta. Ata ishin specialistë në mësimin e logjikës, matematikës, retorikës dhe jurispundencës. Mësuesit e nivelit të lartë gëzonin një respekt të lartë tek publiku.

Mësuesit i merrnin pagesat e tyre nga studentët. Pagesa ndaj mësuesit ishte tejet e ulëta. Në lidhje me këtë profesor Shushtery shkruan: “Mësuesit mbështeteshin nga të ardhurat që rridhnin nga ndihmat që u jepeshin xhamive, faltoreve, spitaleve dhe në disa raste nga klasat e pasura. Disa prej tyre merrnin ndihma nga Thesari Mbretëror.”

Në moshën 15 vjeçare një djalë i cili kishte fituar njohuritë fillestare zakonisht përcaktonte qytetin tjetër të madh vijues për të ndjekur leksionet atje. Dijetarët zakonisht edhe udhëtonin duke ndërmarrë rrugëtime të gjata në kërkim të dijes. Nuk kishte ndonjë program mësimor të rregullt apo fiks. Themeluesi i shkollës kishte të drejtën e emërimit dhe lëvizjes së profesorëve. Në zgjedhjen e lëndëve, mësuesit gëzonin një liri perfekte. Shteti ndërhynte vetëm në rastin kur feja mendohej se ishte në rrezik.

Profesorët me përvojë e njihnin tekstin përmendësh dhe mund të jepnin leksione pa iu referuar ndonjë libri. Numri i studentëve varionte nga disa në mijëra. Boja dhe letra mbahej gati për të mbajtur shënime nga ligjëratat e dhëna nga profesorët.

“Në sallën e leksionit në Nishapur, gjendeshin 500 kuti boje të mbajtura gati për përdorimin e studentëve”(Shustery).

Profesori nuk ishte i kënaqur vetëm me dhënien e ligjëratave të tij, porse ai kërkonte që studentët ta ndiqnin gjithashtu si dhe ta kuptonin atë. Për këtë arsye ai i bënte pyetje studentëve dhe u kërkonte atyre që ti bënin pyetje atij. Në lidhje me këtë Khuda Bakhsh citonte, “Shumë profesorë teksa diskutonin në lidhje me lëndën, e linin ndenjësen atyre dhe përziheshin me studentët.” Pra studimi në shkollën e mesme nuk ishte thjesht dëgjimi i ligjëratave, porse edhe një thellim përgjatë lëndës.

Profesorët ishin tejet të respektuar si dhe ndiqeshin nga nxënësit e tyre. Studentët pasi të kishin kënaqur mësuesit e tyre se i kishin mësuar mirë lëndët e tyre, mund të kërkonin dhe të merrnin certifikatatat- apo “ijaza”.

Arsimi i Abasidëve nuk ishte vetëm i mbyllur ndaj fëmijëve në shkollat fillore. Gjatë sundimit të Haroon al Rashid (763-809) si dhe djalit të tij, u hapën një numër i madh shkollash të mirë-pajisura,u themelua një universitet, u organizuan librari si dhe u ndërtua një “qendër vëzhgimi hapësire”.

Kalifi Al Memun themeloi një akademi të quajtur “Bait ul Hikmat”, apo edhe “Shtëpia e Urtësisë”, në të cilat ndiqeshin degët më të larta të studimit. Sipas profesor Hitti, “Përveç shërbimit si një zyrë përkthimi ky institut funksionoi si një akademi dhe si një librari publike, ku kishte një observatory të lidhur me të”. Totaq shprehet se mund të pretendohet se “Bait ul Hikmah” të ketë qenë nderin e të qenurit si universiteti i parë në të dyja si në botën mesjetare ashtu edhe në atë modern, pasi e mbajti lart pishtarin më përpara se Bolonja, Parisi, Praga, Oksfordi dhe Kembrixhi.” Kolegji “Beit al hikmah” mburrej me një biblotekar i cili ishte një matematicien apo astronom i shquar.

Këtu duhet të thuhet diçka edhe për disa nga përkthyesit. Shumë prej përkthyesve ishin gjithashtu edhe kontribuesit origjinalë. Hunajn bin Is’hak (809-873) ishte një doktor, i krishterë arab. Ai përktheu librat e Galen, Platonit, Arsitotelit, dhe Ptolemeut. Ai ishte akredituar në përkthimin e 31 librave. Aftësia e tij si një përkthyes pohohet edhe nga raporti që ai mori mori prej rreth 500 dinarë në muaj dhe se Al Memuni e pagoi me ar peshën e librit që ai përktheu. Përkthyes të tjerë të shquar ishin Jahja bin Al Bitriq (815), Thabit bin Qurrah (836-901) Quata bin Luqa etj.

Gjendeshin 30 shkolla të mesme në Aleksandri dhe 17 qendra studimi në Spanjë me 70 biblioteka publike.

Mund të dilet në përfundimin se sistemi arsimor nën Abasidët u provua se ishte një pikë kthese në historinë e arsimit të botës moderne. Në të gjitha institucionet e teologjisë, shkenca tradicionale bazohej mbi bazat e punës mbi programet studimore dhe memorizimin, elemente këto të cilat theksoheshin posaçërisht së tepërmi. Të ndërtoje një medrese ishte një akt i devotshëm për myslimanët. Medresetë ishin të pajisura me toka dhe me prona, të ardhurat e së cilave shkonin për mbështetjen e mësuesve dhe nxënësve të varfër. Ibn Xhubejr (1145-1217) thoshte se ishin 30 shkolla në Bagdat dhe më shumë se 500 studentë të cilët merrnin dietat ditore nga fondet e xhamive të atij qyteti.

Akademia e vërtetë në Islam e cila u bë model për shkollat e mëvonshme të arsimit të lartë ishte “Nizamayah” e cila u themelua nga Nizam al Mulk (108-1092), veziri pers i Sulltanit Selxhuk, Malik Shah (1055-1092). Ai organizoi një sistem arsimi dhe ngriti medrese të rregullta, themeloi disa kolegje dhe universitete të rëndësishme, ku i pajisi ato me mjete të përshtatshme dhe me grante të bollshme nga qeveria. Përveç këtyre Kalifi Mustansir, (1242) shtoi edhe një kolegj madhështor me librari si dhe me ndërtesa të tjera nën emërtimin e “Mustansariyyah”.

Gjendeshin tre lloje institucionesh, të cilat i shërbyen qëllimeve të djemve dhe vajzave të moshave dhe niveleve të ndryshme. Sistemi arsimor gjatë kësaj periudhe nuk ishte i mbyllur vetëm ndaj Kuranit dhe Hadithit, porse studentët e përparuar duhej të studionin filozofi, astronomi, astrologji, mjekësi, muzikë, histori, gjeografi, matematikë, botanikë etj.

Edhe pas një shekulli nga plaçkitja dhe shkatërrimi i Bagdadit nga hordhitë e Mongolëve 1258, historiani dhe sociologu i madh arab Ibn Khaldun (1332-1406) në veprën e tij monumentale “Al Muqqadimah” i dedikoi një kapitull të vogël të quajtur “Një person gjuha e parë së cilit nuk ishte arabe, e kishte të vështirë për të përvetësuar shkencat”. Në fund të shekullit të XIV, arabishtja ende kishte një pozicion të privilegjuar dhe të veçantë si gjuhë e dijes. Megjithatë, Ibn Khalduni kishte shkruar në një kohë kur “Rilindja” në Evropë sapo kishte filluar ritmin e saj. Në shekujt e ardhshëm fatet e arabishtes si një gjuhë e privilegjuar e dijes do të eklipsohej dhe pas rënies së ngadaltë në periudhën e mëvonshme Osmane (1299-1922), gjumi i saj do të ishte i gjatë dhe i thellë.

Autor: Muhenned Rahman