Arsenali i është hakmarrë Newcastle Unitedit në Premier League duke e mposhtur thellë 4:1 në kuadër të xhiros së 26-të. “Topçinjtë” iu revanshuan Newcastleit për humbjen në ndeshjen e shkuar, e që ishte përcjellë me polemika të trajnerit Mikel Arteta me gjyqtarët.
Sven Botman realizoi autogol në minutën e 18-të për të hapur serinë e golave në ndeshje. Gjashtë minuta pas tij, në portën e Newcastleit realizoi Kai Havertz për të dyfishuar epërsinë e Arsenalit. Bukayo Saka dhe Jakub Kiwior shënuan dy golat tjerë për londinezët në pjesën e dytë.
Golin e nderit për mysafirët e shënoi Joe Willock në minutën e 84-t.
Për Arsenalin ishte fitorja e gjashtë rresht në Premier League. Vetëm në tri ndeshjet e fundit në ligë ka shënuar 15 gola e ka pësuar vetëm një, duke përmirësuar goldiferencën në raport me rivalët për titull. Arsenali është i treti në tabelë me 58 pikë të tubuara. LIverpooli prin me 60 e Manchester City është i dyti me 59.
Newcastle është i teti me 37 pikë.