Me një gol në pjesën e parë dhe dy të tjerë në të dytën, Arsenali ka arritur të fitojë pikët e plota ndaj Monacos franceze.
Skuadra e Premier Leagues angleze fitoi 3:0 të mërkurën mbrëma në ndeshjen e xhiros së gjashtë të Ligës së Kampionëve.
Saka golin e parë e shënoi me asistim të Gabriel Jesusit në minutën e 34-t, ndërsa të dytin në minutën e 78-të, kur bashkëveproi me Kai Havertzin.
Ai tani ka nëntë gola të shënuar e 12 asistime në 21 paraqitje në të gjitha garat.
Asistimin e 12-të e regjistroi në minutën e 88-të kur shënoi Havertz. Goli u pranua pasi u rishikua situata në VAR.
Vetëm Mohamed Salah me 16 gola e 12 asistime është më i suksesshëm se Saka nga lojtarët e Premier Leagues.
Arsenali pas gjashtë ndeshjeve renditet në vendin e tretë me 13 pikë.
Monaco mbetet me dhjetë pikë në vendin e 16-të.
Në ndeshjen Benfica – Bologna, nuk pati gola të shënuar.