Numri i dënimeve me vdekje në botë ka arritur nivel rekord në dhjetë vjet, thotë një raport i ri i “Amnesty International”.
Më shumë se 1,500 ekzekutime kanë ndodhur në vitin 2024, teksa Irani, Iraki dhe Arabia Saudite, përbëjnë së bashku 1,380 prej tyre, ndërkaq në SHBA kanë ndodhur 25, thotë raporti.
Pavarësisht nga kjo rritje, raporti ka zbuluar gjithashtu se numri i përgjithshëm i vendeve që kryejnë dënimin me vdekje është 15, numri më i ulët i regjistruar për të dytin vit radhazi.
Sekretarja e Përgjithshme e Amnesty International, Agnes Callamard ka thënë se “batica po kthehet” në dënimin me vdekje, duke shtuar se “është vetëm çështje kohe derisa bota të çlirohet nga hija e trekëmbëshit”.
Ndërsa këto shifra janë më të lartat që kanë qenë që nga viti 2015, kur të paktën 1,634 persona iu nënshtruan dënimit me vdekje, shifra e përgjithshme e vërtetë ka të ngjarë të jetë më e lartë.
Amnesty International thotë se shifra nuk përfshin të vrarët në Kinë, e cila besohet se kryen mijëra ekzekutime çdo vit. Koreja e Veriut dhe Vietnami gjithashtu nuk përfshihen.
Të dhënat mbi përdorimin e dënimit me vdekje janë klasifikuar si sekret shtetëror si në Kinë ashtu edhe në Vietnam, që do të thotë se Amnesty International nuk ka qenë në gjendje të ketë qasje në statistikat e tyre.
Raporti, i titulluar “Dënimet me vdekje dhe ekzekutimet 2024”, citon se Irani, Iraku dhe Arabia Saudite janë përgjegjëse për rritjen e përgjithshme të ekzekutimeve që dihen.
Iraku pothuajse ka katërfishuar ekzekutimet e tij nga të paktën 16 në të paktën 63, ndërsa Arabia Saudite ka dyfishuar totalin e saj vjetor nga 172 në të paktën 345.
Ekzekutimet në Iran janë rritur nga të paktën 853 në 2023 në të paktën 972 në 2024.
Raporti ka theksuar se dy arsyet kryesore për rritjen e dënimit me vdekje ishin “vendet që përdorin dënimin me vdekje kundër protestuesve” dhe për “krimet e lidhura me drogën”.
Organizata bamirëse ka zbuluar se më shumë se 40% e ekzekutimeve në vitin 2024 janë kryer për vepra të lidhura me drogën, të cilat sipas saj ishin të paligjshme sipas ligjit të të drejtave të njeriut.