Me ndërmjetësimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe me mbështetjen e Ambasadorit të Italisë, Nicola Orlando e të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Michele Risi, u arrit marrëveshja për projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rrugëve të cilat kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.
“Kjo marrëveshje është rezultat i diskutimeve disa mujore, por konstruktive dhe frytdhënëse, midis Komunës së Deçanit dhe përfaqësuesve të Kishës Ortodokse në Manastirin e Deçanit”, thuhet në njoftimin e kryemisnitrisë.Siç thuhet në njoftim, mekanizimi i përhershëm i implementimit dhe mbikëqyrjes (Këshilli i Implementimit dhe Mbikëqyrjes) mbështetur në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura (nr. 03/L-039) ka miratuar termet e kësaj Marrëveshjeje dhe kështu i është dhënë drita e gjelbër veprimeve të dakorduara për implementim.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka qenë i përkushtuar qysh në fillim që të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes sa më të mirë dhe të pranueshme, e cila ndihmon lëvizjen e lirë të qytetarëve, si liri e garantuar, por edhe të respektojë dhe të mbrojë trashëgiminë religjioze dhe kulturore të asaj zone.Sipas kryeministrisë, me arritjen e kësaj marrëveshjeje, dëshmohet se Republika e Kosovës është vend i të barabartëve, liritë dhe të drejtat e të cilëve respektohen dhe mbrohen njësoj.