Ushtarët izraelitë kanë arrestuar palestinezen 16-vjeçare Ahed Temimi, e cila për guximin dhe rezistencën e treguar ishte shpërblyer me “Çmimin e Guximit Handhala”, raporton Anadolu Agency (AA).
Hilmi Temimi, aktivist nga Komiteti i Rezistencës Popullore Palestineze, për AA tha se ushtarët këtë mëngjes kanë organizuar bastisje në shtëpinë ku Ahed Temimi jeton me familjen, ndërsa më pas kanë arrestuar atë.
Temimi tha se ushtarët nuk kanë informuar lidhur me vendin ku e kanë dërguar Ahedin.
Ende nuk dihen shkaqet e arrestimit të saj, ndërkohë që mediat izraelite dje publikuan pamje teksa Ahed i përzë ushtarët para shtëpisë së saj.
E njohur si “palestinezja e guximshme”, Ahed në Stamboll kishte marrë “Çmimin e Guximit Handhala” për shkak të guximit që kishte shfaqur kundër ushtarëve izraelitë në vitin 2012 teksa po arrestonin vëllanë e saj.
Ahed, e cila u njoh në opinionin botëror si “vajza që sfidoi ushtarin izraelit”, ishte takuar edhe me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në kohën kur ky i fundit ishte kryeministër.