Arrestohet miliarderi izraelit, një nga pronarët e “Feronikelit”

Miliarderi izraelit Beny Steinmetz, i cili është njëri prej pronarëve të kompanisë së ‘Feronikelit’ në Drenas, është arrestuar nga policia izraelite, për dyshime korrupsioni në shtetin e Guineas.

Steinmetz është i dyshuar për kërkim ryshfeti ndaj zyrtarëve në Guine dhe të pastrimit të parave, raporton gazeta izraelite haaretz.com.

Shtëpia dhe zyra e tij janë bastisur sot në mëngjes, ka thënë policia. Ai është dënuar në mungesë me dy javë arrest shtëpiak nga një gjykatë izraelite.

Miliarderi izraelit është pronar i minierës së Feronikelit në Drenas, minierë e cila është e regjistruar në emër të kompanisë së tij “Benny Steinmetz Group Resources Ltd”(BSG) dhe “International Mineral Resources” (IMR), pronë e Alexander Mashkevich, transmeton insajderi.com.

Dy pasaportat e tij, izraelite dhe franceze, u konfiskuan dhe atij i është ndaluar që të largohet nga Izraeli për 180 ditë.

Po ashtu, atij i është caktuar edhe një gjobë prej 50 milionë shekelë (valutë izraelite) para të gatshme (mbi 12 milionë euro) dhe 50 milionë shtesë me prona. Ai ka kohë vetëm tre ditë për ta paguar këtë gjobë.

Akuzat ndaj Beny Steinmetz janë mohuar nga avokati i tij, duke i quajtur ato si të pa baza.

“Ka pasur përpjekje të vazhdueshme dhe të pabaza kanë për qëllim maskuese aktet e korrupsionit me qëllim të konfiskimit të paligjshëm të aseteve”, ka thënë avokati Sasson.