Arrestohet miliarderi i gjigantit agroushqimor ”Agrokor”

Scotland Yard njoftoi sot arrestimin në Londër të pronarit në arrati të gjigantit agroushqimor “Agrokor”, kroati Ivica Todoriç, i dyshuar për përvetësim fondesh dhe objekt i një mandatarresti të lëshuar nga autoritetet e vendit të tij.

“Ivica Todoriç, 66 vjeç u arrestua sot nga agjentë të njësisë së ekstradimit të policisë londineze dhe pritet të dalë para drejtësisë”, njoftoi Scotland Yard në një deklaratë.

Gjykata kroate ka lëshuar një mandatarresti 16 ditë më parë pas kontrollit të kryer në shtëpinë e Todoriçit në Zagreb.

Pronari i gjigantit agroushqimor ”Agrokor”, në vështirësi të mëdha ekonomike, është i dyshuar për përvetësim fondesh, abuzim me besimin, për mashtrim dhe për mosmbajtje të regjistrave ditore financiarë.

Katërmbëdhjetë persona të tjerë, përfshirë dy djemtë e tij dhe ish-zyrtarë të shoqërisë janë gjithashtu nën shënjestrën e drejtësisë kroate.

”Ivica Todoriç është jashtë vendit dhe do të rikthehet kur të jetë e nevojshme”, kishte bërë të ditur në atë kohë avokati i tij, Cedo Prodanoviç.

Sipas një raporti të publikuar javën e kaluar, ”Agrokor” deklaroi humbje që shkonin deri në 1,5 miliardë euro për 2016