Arrestohet edhe një person i dyshuar për spiunazh

Një person me inicialet A.V, është arrestuar në Mitrovicë në dyshimin për spiunazh.

Lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas zhvillimit të hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit sot në mbrëmje, në regjionin e Mitrovicës ka arrestuar një person. I arrestuari A.V. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

I njëjti me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale është ndaluar prej 48 orësh dhe për momentin nga Policia e Kosovës janë duke u kryer bastisje në banesën e të dyshuarit.

Javë më parë në Ferizaj janë arrestuar dy persona për spiunazh. Të arrestuarit ishin njëri ish-zyrtar i Policisë së Kosovës dhe tjetri ish- punëtor i Doganës së Kosovës.