Arrestohen 35 të dyshuar lidhur me infiltrimin e FETO-s

Në kuadër të hetimit të Prokurorisë së Stambollit u arrestuan 35 të dyshuar lidhur me infiltrimin e FETO-s me mënyrë të koduar në shkollat ushtarake, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të provave të gjetura gjatë hetimit të kryer nga Zyra kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar të Prokurorisë së Stambollit kundër strukturimit të organizatës terroriste të armatosur FETO në Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) thuhet se janë zbuluar emra të rinj të cilët janë vendosur me infiltrim në TSK nga organizata FETO duke koduar numrat e kandidatëve anëtarë të fshehtë të organizatës gjatë provimeve për pranimet në shkollat e marinës dhe oficerëve detarë të kryera nën çatinë e Komandës së Forcave Ajrore në vitin 2013.

Si rezultat i hetimit u dha vendimi për arrestimin e 62 të dyshuarve të cilët janë koduar në këtë mënyrë, të cilëve u është siguruar regjistrimi në shkollat ushtarake me dhënien e notave të larta nga anëtarët e komisionit gjatë provimit të intervistimit dhe të cilët janë regjistruar se kanë kryer biseda telefonike me përgjegjësit e fshehtë të organizatës nëpërmjet telefonave publikë.

Ekipet e Drejtorisë së policisë së Stambollit zhvilluan operacione të njëkohshme në 16 qytete me qendër Stambollin. Në operacione u kapën 54 të dyshuar ndërkohë që vazhdojnë punimet për kërkimin edhe të 8 personave të tjerë.

Pas përfundimit të procedurave në polici, 54 të dyshuarit u dërguan në gjykatë ku ndaj 35 prej tyre u caktua masa e arrestit me akuzën “anëtarësim në organizatë terroriste të armatosur”. Ndërsa 19 të dyshuarit e tjerë u lanë të lirë me kushtin e kontrollit gjyqësor.

Mësohet se 15 nga 19 të dyshuarit e liruar kanë përfituar nga ligjet e pendesës efektive dhe se kanë dhënë informacione lidhur me personat që kanë lidhje me organizatën.