Arrestohen 2 persona për vrasjen në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka dhënë versionin e saj rreth vrasjes që ndodhi sot në Mitrovicë, me ç’rast një person i ri ka mbetur i vdekur.

Sipas tyre, një rast ‘vrasje e rëndë’ është raportuar sot rreth orës 09:45, ku fillimisht ishte raportuar për të shtëna dhe si pasojë e shkrepjes së armës së zjarrit, një person kishte mbetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes, të ndodhur në rrugën e UÇK-së, në Mitrovicë.

“Njësitë policore me të arritur në vendin e ngjarjes kuptojnë se pa shenja jete kishte mbetur viktima V. S. 22 vjeçar. Nga procedimi i vendit të ngjarjes nga ana e hetuesve policorë dhe krim teknikët, si prova materiale janë gjetur dy gëzhoja, një shufër metali, një shkop druri”, thuhet në njoftimin e tyre, transmeton lajmi.net.

Policia bën të ditur se nga veprimet e deritanishme me autorizim të prokurorit janë arrestuar dy persona në cilësi të të dyshuarve, V. B. 17 vjeçar dhe H. V. 17 vjeçar, si dhe është konfiskuar një armë tytëgjatë e cila dyshohet se është përdorur në kryerje të veprës penale.

Veprimet hetimore janë duke vazhduar për të ndriçuar rrethanat e plota të veprës penale.

Trupi i pajetë i viktimës dërgohet për obduksion mjeko-ligjor.