Arrestimi i drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Nehat Thaçit ditë më parë nga autoritet serbe, po konsiderohet si shkaktar i mundshëm i acarimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Këtë e thonë edhe njohësit e çështjeve të sigurisë, të cilët i kanë thënë Telegrafit se arrestimi i Nehat Thaçit ndikon kryekëput në tensionimin e situatës.
“Arrestimi i nënkolonelit Nehat Thaçi është i bazuar në një aktakuzë politike dhe si i tillë shkakton tension politik midis dy shteteve. Kjo mund të ndikojë direkt në vënien e pengesave të vazhdueshme në procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë për Telegrafin, Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë.
Ramadani ka shtuar se e vetmja rrugë për lirimin e Nehat Thaçit mbetet ajo diplomatike.
“Fatkeqësisht, Kosova dhe Serbia nuk kanë marrëdhënie bilaterale, prandaj e vetmja rrugë për lirimin e Nehat Thaçit mbetet rruga diplomatike përmes Brukselit. Vendimi për lirimin e tij duhet të jetë politik, ashtu sikurse edhe aktakuza dhe arrestimi i tij”, u shpreh Ramadani.
Ai më pas ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të angazhojnë një ekip profesional për këshillimin dhe ekspertizën për shtetasit e vet në çështjen e listës së akuzave politike të Serbisë.
“Secili shtetas i Kosovës që gjendet në këtë listë politike, duhet që të njoftohet për kujdesin që duhet të ketë”, shoti Ramadani.
Në anën tjetër, Avni Islami ka theksuar se me arrestimin e Nehat Thaçit është vërtetuar se Serbia nuk është e gatshme për normalizimin e raporteve me Kosovën.
“Ajo po përpiqet që të ngre tensione artificiale në mes dy vendeve me qëllim që të bëjë trysni ndaj autoriteteve të Kosovës që të mos ua ndalojë hyrjen në territorin e Kosovës disa zyrtarëve të lartë të shtetit serb, të cilët janë duke e rritur ndikimin e tyre në Kosovë, qoftë përmes mitingjeve, qoftë përmes punonjësve të minoritetit serb që punojnë në organizata të ndryshme në Kosovë dhe në administratën shtetërore”, ka thënë Islami për Telegrafin.
Ai ka shtuar se dyshon se përmes BIA-s (shërbimi sekret serb) ata po përpiqen të jenë kudo, dhe mu për këtë kanë arrestuar edhe Nehat Thaçin, që në të ardhmen tu lejohen vizitat e papenguara të zyrtarëve të lartë të Serbisë dhe kështu ta shtrijnë ndikim sa më tepër në territorin e Kosovës.
“Në këtë rast qeveria e Kosovës nuk mund të bëjë më shumë për lirimin e tij përveç presionit përmes BE-së dhe e vetmja mënyrë është t’i kundërpërgjigjen me të njëjtën masë”, vlerëson Islami.
Avokati i Nehat Thaçit, Sead Spahoviq i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se “Thaçi nuk është marrë në pyetje dhe nuk e di as se për çfarë akuzohet, dhe se problemi qëndron në faktin se po vazhdon një debat ndërmjet Nishit dhe Beogradit se cila prokurori është ‘kompetente për rastin në fjalë’, përderisa një person vazhdon të mbahet në paraburgim”.
Lidhur me arrestimin e Thaçit, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka paralajmëruar “dërgimin e një shkrese zyrtare Beogradit me të cilën do të kërkohet lirimi i menjëhershëm nga paraburgimi i Nehat Thaçit”.
Nehat Thaçi u arrestua të enjten e kaluar në hyrje të Serbisë nga pika kufitare “Dheu i Bardhë” pas një urdhri të lëshuar nga Gjykata e Lartë në Nish të Serbisë, duke u dërguar menjëherë në paraburgim në këtë qytet, nën akuzën se ka kryer terrorizëm.