Ballina Lajmet Kosovë Arrestimi i dy të rinjve kosovarë nga ushtarët serbë, Ministria e Punëve...

Arrestimi i dy të rinjve kosovarë nga ushtarët serbë, Ministria e Punëve të Jashtme jep detaje

Dy të rinj nga Podujeva janë arrestuar së fundi nga ushtarët serbë.
Deri tek arrestimi i tyre raportohet të ketë ardhur në momentin kur ata janë afruar përreth kufirit, derisa po prisnin drunj.

E në lidhje me këtë rast, lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Nga kjo ministri kanë deklaruar se janë njoftuar tashmë për rastin dhe se kanë kërkuar të dhëna shtesë nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi.

Sipas MPJD-së tanimë është dërguar një kërkesë formale për të konfirmuar rastin, si dhe për të marrë detaje shtesë, duke përfshirë këtu edhe identitetin e personave të arrestuar dhe lokacionin se ku janë duke u mbajtur.

“Në lidhje me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar tashmë Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, një kërkesë formale për ta konfirmuar rastin, si dhe për të ofruar detajet tjera relevante, përfshirë identitetin e personave të arrestuar dhe lokacionin ku ata janë duke u mbajtur”,thuhet në përgjigje.

Gjithashtu u bë e ditur se në lidhje me këtë rast janë njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Beograd.

Nga autoritetet kosovare gjithashtu u tha se në momentin e konfirmimit do të bëhet kërkesë zyrtare për vizitë në qendrën e paraburgimit ku edhe po mbahen.

“Në momentin e konfirmimit, diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi do të bëjnë kërkesë zyrtare për vizitën e tyre në qendrën e paraburgimit ku ata janë duke u mbajtur”, theksohet tutje.

Në lidhje me këtë arrestim autoritetet serbe raportohet të kenë kërkuar para për lirimin e tyre. Madje sipas mediave lokale serbët kërkuan deri në 20 mijë euro, në mënyrë që dy të rinjtë nga Podujeva të mund të lirohen.

Kjo s’është hera e parë që ushtarët serbë arrestojnë qytetarë të Kosovës. Disa prej tyre janë arrestuar në pikat kufitare derisa po hynin, e disa të tjerë në dalje.

Shumë prej këtyre të arrestuarve u ndaluan në qendra të paraburgimit, e po mbahen me muaj të tërë.

Shumë prej të ndaluarve ishin ish-pjesëtarë të UÇK-së, e që serbët vazhdojnë t’i provokojnë vazhdimisht me ndalimet e tyre të panevojshme.

Exit mobile version