Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Armët bëhen shkaku kryesor i vdekjes së fëmijëve në SHBA

Armët bëhen shkaku kryesor i vdekjes së fëmijëve në SHBA

Armët tejkaluan aksidentet me vetura për t’u bërë shkaku kryesor i vdekjeve për fëmijët dhe adoleshentët amerikanë në vitin 2020, tregon një studim i ri.

Të dhënat nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tregojnë se mbi 4,300 të rinj amerikanë vdiqën nga lëndimet e lidhura me armë zjarri në vitin 2020.

Ndonëse vetëvrasjet kontribuan në këto shifra, të dhënat tregojnë se vrasjet përbëjnë shumicën e vdekjeve të lidhura me armë.

Më shumë se 390 milionë armë janë në pronësi të civilëve amerikanë.

Sipas hulumtimit – i cili u botua këtë javë në New England Journal Medicine, rritja e vdekjeve të lidhura me armë tek amerikanët, midis moshës 1 dhe 19 vjeç ishte pjesë e një rritjeje të përgjithshme prej 33.4% të vrasjeve me armë zjarri në mbarë vendin, raporton BBC, transmeton Koha.net. Vrasjet, vuri në dukje studimi, ndikojnë në mënyrë disproporcionale te të rinjtë amerikanë.

Gjatë të njëjtës periudhë kohore, shkalla e vetëvrasjeve me armë zjarri në SHBA u rrit me 1.1%.

Shkalla e përgjithshme e vdekjeve nga armët për të gjitha arsyet – vetëvrasje, vrasje, të paqëllimshme dhe të pacaktuara, midis fëmijëve dhe adoleshentëve u rrit me 29.5%, më shumë se dyfishi i popullsisë në SHBA.

“Ne vazhdojmë të dështojmë të mbrojmë rininë tonë nga një shkak i parandalueshëm i vdekjes”, thuhet në letrën kërkimore të botuar në revistë të mërkurën.

Shkalla e vdekjeve të lidhura me armët për 100,000 banorë u rrit midis burrave dhe grave dhe në të gjithë demografinë etnike midis viteve 2019 dhe 2020, derisa rritje më e theksuar është vërejtur midis amerikanëve me ngjyrë.

Në të kaluarën vdekjet e lidhura me armët ishin të dytat pas aksidenteve me vetura, si shkaku kryesor i vdekjeve te të rinjtë amerikanë. Vdekjet si pasojë e aksidenteve megjithatë, kanë rënë me kalimin e kohës dhe në vitin 2020 rreth 3,900 amerikanë nën 19 vjeç vdiqën nga përplasja e veturave.

Incidentet e mbidozave të drogës dhe helmimeve u rritën me 83.6% midis viteve 2019 dhe 2020 dhe tani janë shkaku i tretë kryesor i vdekjeve në atë grupmoshë. Një studim i veçantë i publikuar më herët në prill zbuloi se 954 të rinj vdiqën nga mbidoza në vitin 2020, krahasuar me 492 në 2019.

Dhuna me armë në SHBA është rritur që nga fillimi i pandemisë me COVID-19, në fillim të vitit 2020.

Një studim i veçantë, i botuar në Annals of Internal Medicine në shkurt, zbuloi se 7.5 milionë të rritur në SHBA, apo më pak se 3% e popullsisë u bënë pronarë të armëve për herë të parë gjatë pandemisë midis janarit dhe prillit të vitit 2021. /koha

Exit mobile version