Të hënën, në ditën e parë të Kurban Bajramit, kë hyrë në fuqi armëpushimi në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Një gjë të tillë më herët e paralajmëroi sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry i cili në një konferencë të përbashkët për mediat me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergej Llavrov në Gjenevë theksoi se të hënën më 12 shtator do të hyjë në fuqi armëpushimi.
Armëpushimin e arritur, sekretari amerikan i Shtetit e quajti “kthesë” për të shtuar se bashkë me Rusinë besojnë në uljen e dhunës në Siri dhe se vendi do të ecë drejt një tranzicioni politik. Ai shtoi se demilitarizimi i disa zonave do të hapë korridore humanitare.
Armëpushimin në Siri e përshëndeti shumica e liderëve botërorë, ndërsa ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier u bëri thirrje të gjitha palëve ndërluftuese në Siri që të respektojnë armëpushimin për të cilin u pajtuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia.
Në pesë vitet e kaluara Siria ka qenë vatër e luftës pasi presidenti i vendit Bashar al Asad shtypi me dhunë protestat paqësore kundër sundimit të tij.
Sipas të dhënave të Qendrës për Hulumtime Politike, së paku 470.000 sirianë kanë humbur jetën prej kur filloi lufta në vitin 2011.