Nga janari deri në korrik të këtij viti janë vrarë 15 persona në Kosovë, ndërsa numri i incidenteve për shkak të armëve pa leje kanë shënuar rritje kohët e fundit. Madje vetëm këtë javë kanë ndodhë disa gjuajtje me armë në qendër të kryeqytetit, në mesin e të cilave edhe ajo ndërmjet këngëtarëve Ylber Abdullahu i njohur si Cozman dhe Rigels Rajku- Noizy.
Vlerësohet se numri i armëve pa leje që ende janë në duart e qytetarëve të Kosovës është mbi 300 mijë.
Njohësit e fushës së sigurisë thonë se Policia dhe organet e drejtësisë duhet të zbatojnë Ligjin për Armët dhe ligjet tjera respektive që kanë të bëjnë me armëmbajtësit pa leje, shkruan ‘Zeri‘.
Ata gjithashtu theksojnë nevojën që të shpallet amnisti për dorëzimin e armëve pa leje.
Numri i pacientëve që lëndohen me armë të zjarrit apo edhe me armë të ftohta e që kërkojnë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente të QKUK-së është jo i vogël.
Spitali i vetëm në Kosovë që ofron ndihmë mjekësore emergjente të nivelit terciar, për gjashtë muajt e parë të vitit 2016 ka trajtuar 207 persona me lëndime nga armët e zjarrit, si dhe armët e ftohta.
Ndërkohë gjatë kësaj periudhe kohore edhe katër pacientë tjerë kanë ndërruar jetë, derisa nuk kanë arritur të mbijetojnë nga plagët që kanë marrë si rezultat i armëve.
Këto statistika janë konfirmuar nga Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente të QKUK-së. Lenjani për gazetën “Zëri” ka thënë se numri i rasteve që janë plagosur për gjashtë muajt e parë të vitit është tejet shqetësues.