Arkivat ekspozojnë rolin francez në gjenocidin e Ruandës

Ekspertët po i bëjnë thirrje Francës të marrë rolin e saj në gjenocidin e Ruandës të vitit 1994, ku u regjistrua vrasja e rreth një milion anëtarëve të grupit etnik Tutsi në një hark kohor prej vetëm 100 ditësh.

Dëshmitë arkivore tani sugjerojnë se ndërhyrja ushtarake franceze nga qeveria e presidentit të ndjerë, François Mitterrand në vendin e Afrikës Lindore shkoi deri atje sa të ofrojë mbrojtje për autorët e gjenocidit.

Duke folur për mediat javën e kaluar, François Graner, drejtori kërkimor në Qendrën Kombëtare për Kërkime Shkencore (CNRS) në Universitetin Paris Diderot, tha se zyrtarët francezë kanë injoruar shenjat paralajmëruese të gjenocidit.

“Franca po ashtu ka dhënë mbështetje të fortë ushtarake për të mbajtur gjallë regjimin (gjenocidal). Mbështetja e armëve vazhdoi fshehurazi gjatë dhe pas gjenocidit”, tha Graner, i cili ka studiuar arkivat zyrtare në lidhje me rolin e Francës në gjenocid, që kur Këshilli i Shtetit Francez hapi arkivat qershorin e kaluar.

“Çështja është se Franca nuk mund të mohojë më rolin e saj. Ata mund të mos e pranojnë dhe të thonë se ne nuk ishim bashkëpunëtorë, por provat historike tregojnë që ishte ashtu”, tha për Anadolu Agency (AA) Tom Ndahiro, një studiues i gjenocidit ruandas.

Në vitin 2016, Ruanda implikoi 22 oficerë ushtarakë francezë për rolin e tyre të drejtpërdrejt në gjenocid.

Një raport i vitit 2017 nga Cunningham Levy Muse LLP, një firmë ligjore e SHBA e porositur nga kryeqyteti ruandas Kigali, tha se ka prova të forta që lidhnin Francën me gjenocidin në Ruandë.

Raporti dokumentoi se si zyrtarët francezë kishin lehtësuar rrjedhën e armëve në Ruandë përpara gjenocidit.

Sipas raportit, trupat franceze të stacionuara në Ruandë si pjesë e një operacioni paqeruajtës të OKB-së në vitin 1994, nën operacionin “Bruz”, krijuan një zonë të sigurt për të ndihmuar disa prej autorëve të krimit të arratiseshin në Republikën Demokratike të Kongos fqinje.

Ndahiro tha se më shumë fakte të dala nga arkivat zyrtare franceze vërtetojnë atë që tashmë ishte ditur.

“Pavarësisht nëse Franca i pranon apo jo faktet të cilat po zbulohen sot dhe më herët tregojnë se ajo ishte bashkëpunëtore, e cila nuk duhet të deklarohet por të dëshmohet, kjo është provuar nga të dhënat historike”, tha ai.

Marrëdhënie të tensionuara

Çështja e rolit të Francës në gjenocid kishte tensionuar marrëdhëniet midis dy vendeve. Megjithatë, kohët e fundit, presidenti francez, Emmanuel Macron ka demonstruar një qasje pajtuese pasi caktoi një panel ekspertësh për të hetuar rolin e vendit të tij në gjenocid.

Sipas analistëve, arrestimi i financuesit të dyshuar të gjenocidit ruandas, Felicien Kabuga në Francë po ashtu shihet si një ndryshim në politikën franceze.

Teksa Presidenca franceze ka thënë që historianët dhe studiuesit që shikonin periudhën 1990-1994 do të kontribuonin në një kuptim dhe njohuri më të mirë, ajo ende nuk e ka shqyrtuar ose zotëruar zyrtarisht rolin e saj në gjenocid.

Naphtal Ahishakiye, sekretari ekzekutiv i Ibuka (kujtoj), një grup ombrellë i shoqatave të të mbijetuarve të gjenocidit në Ruandë, shfaqi shpresën se paneli francez i ekspertëve të caktuar nga Macron do të zbulojë të vërtetën.

Përgjatë viteve, të mbijetuarit kanë dëshmuar për rolin e Francës në gjenocid dhe zbulimet e fundit duhet të ndihmojnë më tej panelin, tha ai për AA.

Franca ishte një aleate e ngushtë e qeverisë gjenocidale e udhëhequr nga presidenti i atëhershëm, Juvenal Habyarimana, vdekja e të cilit në një aksident ajror shkaktoi masakrat.

Ndahiro risjell kujtimet se pas vdekjes së Habyarimana, presidenti i përkohshëm Theodore Sindikubwabo i shkroi Mitterrand-it më 22 maj të vitit 1994, duke falënderuar Francën për “mbështetjen e tyre morale, politike dhe materiale”.

“Kjo letër nga Sindikubwabo është më shumë se dëshmi e bashkëpunimit francez”, tha Ndahiro.

“Është në qeverinë e Francës që të marrë rolin”, shtoi ai. “Nuk ka të bëjë me Ruandën që akuzon Francën, por versionin e saj (vetjak) të historisë. Kur përfshiheni në gjenocid i detyroheni një falje njerëzimit, të gjithë botës, sepse krimi i gjenocidit është kundër njerëzimit”.

Kërkimi i drejtësisë

Ismael Buchanan, pedagog në Universitetin e Ruandës, i kërkoi Parisit të demonstronte bashkëpunim në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë. Por, ai sugjeroi që çështja të mos ndikojë në marrëdhëniet e tyre bilaterale diplomatike.

“Është në dorën e të dyja vendeve që të punojnë drejt forcimit të bashkëpunimit të tyre dypalësh”, tha ai, duke shtuar se derisa Ruanda mund të mbajë hapur kanalet, për çështje të tjera është e rëndësishme të kërkosh drejtësinë dhe llogaridhënien.

Sipas Ndahiro-s, Parisi që ofron qasje në arkivat është një fillim i mirë që tregon se ekziston një vullnet politik. Ai tha se individë të caktuar në Francë ishin kundër që arkivat të bëhen publike në mënyrë që të qëndrojnë në modalitetin e mohimit.

“Nëse Franca do të bëjë një falje zyrtare ose të shfaq shqetësimin e saj në një mënyrë tjetër është diçka për të pritur, por gjëja më e rëndësishme është njohja publike”, tha studiuesi.