Gërmimet arkeologjike në veriperëndim të Turqisë kanë nxjerrë në sipërfaqe të tokës një vegël për shkrim, më konkretisht një stilus, të vjetër rreth 1800 vjet, shkruan Anadolu Agency (AA).
Në lokalitetin arkeologjik Assos, të njohur edhe si Behramkale, në të cilin gjendet njëri nga vendbanimet port, më të rëndësishme nga koha romake, më herët janë zbuluar mbetje të një teatri antik dhe mbetje të mureve.
Profesori universitar Nurettin Arslan, që kryeson ekipin e arkeologëve, në një prononcim për AA tha se vegla e zbuluar është një instrumet i zgjatur nga bronzi dhe ka një anë të mprehtë dhe anën tjetër pak më të rrafshtë.
Sipas tij, ky instrument është përdorur për të shkruar, për të bërë llogari si dhe për shënim, në kryesisht tabela nga dylli të përdorura në atë periudhë.
“Pjesa pak më e rrafshtë është përdorur për të korrigjuar gabimet e mundshme, siç janë sot gomat”, tha Arslan, për të shtuar se çdo person i shkolluar në atë kohë kishte në pronësi një stilus.
Arslan tha se në atë kohë, shkrim-leximi nuk ka qenë karakteristikë vetëm e personave të lirë ose të pushtetarëve, sepse siç thotë, edhe robërit kanë ditur të shkruajnë dhe lexojnë.
“Robërit e arsimuar kanë përdorur këto instrumente për të mbajtur shënime për pronarët e tyre”, shpjegoi ai.
Ai rikujtoi se arkeologët në të njëjtin vend zbuluan më parë pjesët e një vazoje që datojnë nga periudha e rreth 2500 vjet më parë./Mesazhi/