Njëri prej futbollistëve më të mirë të Maqedonisë së Veriut ka vendosur t’i jap fund karrierës ndërkombëtare. Bëhet fjalë për mesfushorin luftarak Arijan Ademi, që është kapiten dhe lider i Dinamos së Zagrebit.
Të premten selektori i Maqedonisë së Veriut, Blagoja Milevski, ka njoftuar se Ademi ka vendosur përfundimisht të tërhiqet nga Maqedonia e Veriut. Kështu kombëtarja e Maqedonisë së Veriut do të mbetet me një shqiptar më pak dhe atë shumë të rëndësishëm.
“Më vjen keq sidomos për mungesën e Arian Ademit, që për arsye personale ka vendosur ta përfundojë karrierën në reprezentacion. Kam pasur një bisedë me Arianin. Do të na mungojë si person dhe si lojtar i futbollit. Ai është kategorik në vendimin e tij. Ai ndjen se është momenti për largim nga ekipi përfaqësues dhe ne nuk do të llogarisim në të”, ka thënë Milevski për sajtin zyrtar të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut.
“Të gjithë duhet të jemi mirënjohës për kontributin e tij në ekipin nacional të Maqedonisë dhe për futbollin tonë në përgjithësi. Kemi propozuar që t’i organizohet një ndeshje lamtumire. I takon atij të vendosë nëse do të ndodhë në ndeshjen me Kroacinë më 3 qershor, në ndeshjen e parë në Shkup”, ka shtuar Milevski.
Ademi 32-vjeçar është i lindur në Shibenik të Kroacisë, ndërsa ka prejardhje nga Maqedonia e Veriut. Te Dinamo këtë edicion po ka përgjegjësi më të vogël se në të kaluarën.
Ai iu bashkua Maqedonisë së Veriut në vitin 2014, pasi u la jashtë përfaqësueses së Kroacisë për Kupën e Botës 2014. Për Kroacinë i kishte luajtur tri ndeshje, ndërsa ishte në të gjitha grupmoshat e përfaqësueses kroate. Ademi ka startuar në tri ndeshjet e Maqedonisë së Veriut në Euro 2020, që është suksesi më i madh i kësaj përfaqësuese deri më tani. Së fundi luajti ndaj Italisë më 17 nëntor të vitit të kaluar. Gjithsej për Maqedoninë e Veriut, Ademi i ka luajtur 33 ndeshje, ndërsa ka realizuar katër gola.
Ai e nisi karrierën te Shibeniku, ndërsa në vitin 2010 u transferua te Dinamo. Kishte një periudhë huazimi te Lokomotiva, ndërsa te Dinamo qëndroi deri vitin e kaluar. Ka vuajtur suspendim nga UEFA për shkak të dopingut, por Dinamo nuk hoqi dorë prej tij dhe mesfushori defanziv u kthye edhe më i fortë. Vjet kishte një periudhë në Kinë, por u kthye sërish te Dinamo.
Maqedonia e Veriut, që ka në përbërje 5-6 lojtarë shqiptarë, më 22 mars luan miqësore me Moldavinë. Më 25 mars ka miqësore me Malin e Zi. Më 3 qershor është miqësorja me Kroacinë, ndërsa më 10 qershor me Çekinë.