Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Avni Arifi, është shprehur i pakënaqur me nivelin e qeverisjes në vend.
Ai ka vlerësuar se qeveria aktuale është qeveria më e dobët që ka pasur Kosova prej pasluftës.
Arifi në një intervistë për gazetën “Epokën e re”, tha se është e nevojshme që sa më shpejt të mbahen zgjedhjet e parakohshme.
Sa i përket akuzave të kryeministrit Isa Mustafa se zyrtarët e AAK-së janë banditë dhe bosë të kazinove, Arifi ka thënë se kjo jo vetëm që shpreh nivelin e ultë të kryeministrit, por sipas tij, e konfirmon dyshimin nëse është apo jo Mustafa – kryeministër.
Sipas Arifit, po të ishte Kosova një vend demokratik, kryeministri Mustafa do të duhej të ishte përgjegjës për fjalën e tij publike.
“Shteti dhe shoqëria në Kosovë janë shumë më keq sesa që ishin në vitin 2014. Asnjë resor i Qeverisë nuk ka shënuar ndonjë progres, kurse propaganda e tyre është e ndytë”, tha Arifi.