Ari, metalet e çmuara, nafta e papërpunuar, kriptovaluta Bitcoin dhe kriptovalutat e tjera kanë shënuar rënie, ndërkohë dollari amerikan ka regjistruar rritje pasi inflacioni amerikan është shumë më i lartë se pritjet e tregut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Çmimi i arit ra në 1.707.43 dollarë për ons mëngjesin e sotëm, duke regjistruar një humbje prej 1 për qind, ndërsa argjendi ra në 18.862 dollarë për ons në të njëjtën kohë, por më vonë u rrit përsëri në territorin pozitiv.
Standardi global i naftës së papërpunuar Brent ra në 98,28 dollarë për fuçi, ndërsa standardi amerikan ‘West Texas Intermediate’ (WTI) tregtohet me 94,59 dollarë në të njëjtën kohë. Të dy standardet ranë pothuajse 1 për qind përpara se të rifitonin disa nga humbjet e tyre.
Çmimi i kriptovalutës Bitcoin ra në 18,911 dollarë në orën 08:42 të mëngjesit të sotëm, ndërsa tregtohej rreth 19,180 dollarë duke regjistruar një humbje prej 3,7 për qind. Disa kriptovaluta ranë deri në 10 për qind deri në atë kohë.
Indeksi i dollarit amerikan, nga ana tjetër, u rrit për 0,4 për qind në 108.58, duke shënuar një nivel të ri rekord 20-vjeçar. Euro kundrejt dollarit amerikan ra në 0,9999 dollarë.
Shitjet e mëdha në mallra dhe në kriptovaluta erdhën menjëherë pasi inflacioni vjetor i konsumatorit në SHBA u rrit me 9,1 për qind në muajin qershor, shumë më i lartë se vlerësimi i tregut prej 8,8 për qind.
Rritja më e madhe vjetore e inflacionit që nga nëntori i vitit 1981 shkakton shqetësime se Rezerva Federale e SHBA-së në mbledhjen e saj të ardhshme më 27 korrik mund të bëjë një rritje të normës së interesit me 100 pikë bazë, në vend të 75 pikëve.
Politika monetare agresive e Rezervës Federale të SHBA-së gjithashtu po krijon frikën se banka qendrore mund të shkaktojë një recesion në SHBA, që mund të përhapet me shpejtësi në ekonominë globale.