Argjentinë, marsh protestues me rastin e 49-vjetorit të grusht shtetit ushtarak

Në Argjentinë u mbajt marsh protestues me rastin e 49-vjetorit të grushtit të shtetit dhe deklaratave mohuese të presidentit Javier Milei lidhur me periudhën e diktaturës, raporton Anadolu.

Dhjetëra mijëra qytetarë u mblodhën në bulevardin “9 Korriku” në kryeqytetin Buenos Aires dhe marshuan deri në sheshin “Plaza de Mayo”. Qytetarët mbajtën pankarta dhe tabela për të përkujtuar viktimat e periudhës së grushtit të shtetit si dhe brohoritën slogane si “Nuk harrojmë, nuk falim dhe nuk pajtohemi”.

Duke reaguar ndaj komenteve të presidentit Milei lidhur me ato që ndodhën gjatë grushtit të shtetit, grupi i bëri thirrje qeverisë për të gjetur të zhdukurit. Në marsh morën pjesë parti të ndryshme politike, sindikata, organizata të të drejtave të njeriut dhe Nënat e “Plaza de Mayo”.

Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, 30 mijë njerëz u zhdukën në grushtin e shtetit ushtarak të 24 marsit 1976, grushti më i përgjakshëm dhe i fundit nga gjashtë grushtet ushtarake të kryera në Argjentinë në shekullin e 20-të.

– Nënat e “Plaza de Mayo” (Nënat e Sheshit të Majit)

Të veshura me shalle të bardha në kokë, nënat e “Plaza de Mayo” mblidhen në sheshin para Pallatit Presidencial çdo fundjavë prej 40 vitesh. Familjet kërkojnë informacion për fëmijët e tyre që u zhdukën gjatë regjimit ushtarak i cili drejtoi vendin në periudhën 1976-1983.

Qeveria e presidentit Milei ka paraqitur një qasje duke nënvlerësuar shkeljet e të drejtave të njeriut të përjetuara gjatë diktaturës dhe ka vënë në pikëpyetje shifrën e pranuar përgjithësisht se numri i të zhdukurve është 30 mijë.

Qeveria pretendon se edhe pushteti edhe grupet e armatosura janë përgjegjës në mënyrë të barabartë për ngjarjet e dhunshme që ndodhën në vitet 1970.