Picajolët dhurojnë një super performancë për jurinë
Picat janë padyshim një nga ushqimet më të preferuara për të gjitha moshat. Nëse një picë është e mirë falenderimi i shkon picajolit.
Kështu në Argjentinë ka një konkurs aspak të zakontë që nderon mjeshtrit e picave dhe ku zgjidhet gjithashtu edhe pica më e mirë. Picajolë nga shumë vende u mblodhën në Buenos Aires për të marrë pjesë në edicionin e dytë të Turneut të Picave Pan Amerikane.
Ata që garojnë në skenë nuk harrojnë të japin edhe një superperformancë për 18 gjyqtarët dhe 30 anëtarët e një jurie e cila zgjedh kuzhinierin më të mirë të picave në Amerikën e Jugut.
Kampionati ka gjithsej 150 konkurrentë nga vende si Meksika, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kili, Kolumbia, Kuba, Uruguai, Peruja, Paraguai, Haiti, Venezuela dhe Argjentina. Të pranishmit shprehen mjaft të emocionuar për këtë event të veçantë.
“Ishte një ngjarje e organizuar mirë. Argjentinasit kanë shumë për të na mësuar ne brazilianët. Më pëlqeu shumë pjesëmarrja në kampionat, ishte e mrekullueshme, diversiteti i garuesve, gjithçka ishte e mrekullueshme”.
“Kampioni i madh argjentinas” do të përfaqësojë Argjentinën në Kampionatin Botëror të Picave në Parma të Italisë.