Skuadra bardhekaltër vulosi suksesin rekord të 16-të në histori, në Copa América, pasi një gol në kohën shtesë nga Lautaro Martínez i dha një fitore të vështirë 1-0 ndaj Kolumbisë në Miami.
Me fillimin e ndeshjes të shtyrë për më shumë se një orë për shkak të problemeve të mëdha me biletat jashtë stadiumit Hard Rock, të dyja skuadrat nuk humbën kohë për të pohuar autoritetin e tyre në fushë.
Fillimisht Julián Álvarez bëri një përpjekje për La Selección kur u vendos mirë në zonë, përpara se në skajin tjetër të fushës, Jhon Córdoba të gjuajti një goditje të rrezikshme mbi trahun e portës.
Me kalimin e minutave, Kolumbia filloi të dominonte topin dhe të dukej më kërcënuese, megjithatë rastet më të mira erdhën në shtesën e pjesës së parë me Lermën për kolumbianët e Messin për Argjentinën, të cilat nuk u finalizuan me sukses.
Në minutën e 65-të Lionel Messi la fushën mes lotësh për shkak të një dëmtimi, ndërsa zëvendësuesi i tij, Nico Gonzales pati impakt të menjëhershëm, duke shënuar gol, por festa u ndal nga flamuri i anësorit, që sinjalizoi pozicion jashtë loje.
Goli vendimtar për Argjentinën erdhi në minutën e 112′, kur Lautaro Martinez, i cili u shpall edhe golashënuesi më i mirë i Copa America 2024, shfrytëzoi një pasim të Lo Celsos për të dërguar topin në rrjetë dhe gjetur golin, teksa festën e ndau me Lionel Messin në pankinë.
Kolumbia provoi të reagojë, por pa rezultat, teksa në sekondat e fundit pretendoi edhe një penallti, por nuk mendonte kështu arbitri dhe VAR-i.
Kolumbianët pësuan kështu humbjen e parë në dy vite, pas plot 28 ndeshjeve radhazi, por për fatin e keq u mposhtën në atë më të rëndësishmen.
Nga ana tjetër Argjentina u bë mbretëresha e kontinentit, duke fituar Copa American për herë të 16 në histori, më shumë se çdo skuadër tjetër.