Policia e Tiranës me urdhër të prokurorisë ka ndalur dy mjekë të maternitetit `Koço Gliozheni` pasi po hetohen për vdekjen e nënës 35-vjeçe së bashku me fëmijën para dy ditësh në Tiranë.
Të ndaluar janë dy mjekët Dritan Deçka me Helidon Klosin dhe infermierja Nazmie Ceni. Mjekët dhe infermierja e ndaluar me urdhër të prokurorisë akuzohen për neglizhencë në rastin e trajtimit të nënës, Adia Çajku. Aida Çajka nuk mundi të mbijetojë pas komplikacioneve shëndetësore në muajin e nëntë të shtatzënisë. E reja u transportua me urgjencë nga familjarët e saj drejt maternitetit “Koço Gliozheni” mbrëmjen e të mërkurës.
Mjekët nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë diagnozën e problemeve shëndetësore, çka ka sjellë edhe sorollatjen e Aida Çajkut në dy spitale, QSUT dhe Sanatorium. Hemorragjia nga shpretka është zbuluar më shumë vonesë dhe kjo solli edhe vdekjen tragjike të nënës 35-vjeçare dhe foshnjes së saj. Fakt ky që është pranuar edhe nga mjekët e maternitetit, të cilët kanë deklaruar për Report TV, se po të ishte vendosur në kohë diagnoza, ajo do të shpëtonte. Nga ana tjetër, familjarët akuzuan mjekët për neglizhencë. Sipas tyre, shtatzëna në muajin e nëntë ka qëndruar 25 minuta jashtë urgjencës pasi dera ishte e mbyllur. Ndërsa gjatë transportimit drejt QSUT dhe Sanatoriumit, në ambulancë ka munguar oksigjeni.
Por Ministria e Shëndetësisë i ka hedhur poshtë pretendimet e familjarëve, duke theksuar 35-vjeçares i është dhënë në kohë ndihma mjekësore, por ka qenë e pamundur të shpëtohej për shkak të hemorragjisë masive pas çarjes së shpretkës. Aida Çajka, nëna 35-vjeçare shtatzënë që humbi jetën mëngjesin e djeshëm bashkë me foshnjën e saj në maternitetin “Koço Gliozheni”, është përcjellë sot mes dhimbjes dhe lotëve, për në banesën e fundit.