Padia e avokatëve që përfaqësuan Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës në Arbitrazhin e Parisit kundër kompanisë austriake OeSD, e që kontestonte juridiksionin e Arbitrazhit, është refuzuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Me këtë hap, kompania austriake nuk ka më asnjë pengesë ligjore për të kërkuar njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit, që taksapaguesve të Kosovës do t’u kushtojë më shumë se 5 milionë euro.
Pasi MPB në mënyrë të njëanshme kishte shkëputur kontratën për prodhimin e pasaportave biometrike me kompaninë austriake OeSD, kjo e fundit i ishte drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit në Paris.
Pasi Arbitrazhi kishte konstatuar se është kompetente për të vendosur lidhur me këtë rast, pala kosovare e pakënaqur i ishte drejtuar Gjykatës Themelore të Prishtinës për të kontestuar juridiksionin në nëntor të vitit 2014.
Dy vite më pas, më 6 tetor të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur të refuzojë këtë padi duke u thirrur në mungesë të juridiksionit.
“Konstatohet se Gjykata e Kosovës nuk është kompetente për të vendosur në padinë e paditësit Republika e Kosovës – Ministria e Punëve të Brendshme kundër të paditurve: Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, me seli në Paris, Republika e Francës , dhe Osterreichische Staatsdruckerei – GmbH, me seli në Vjenë, Republika e Austrisë, me të cilën është kërkuar anulimi i vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICA) në Paris”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës për KALLXO.com
Ky aktvendim është marrë me datë 6 tetor 2016.
“Hedhet padia për shkak të mungesës së kompetencës së gjykatës së vendit për shqyrtim dhe vendosje në padinë për anulimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris”, thuhet më tej në aktvendimin e Gjykatës.
Po ashtu, në përgjigjen e saj, Gjykata Themelore e Prishtinës thotë se palët janë njoftuar për këtë aktvendim.
KALLXO.com ka kontaktuar lidhur me këtë aktvendim edhe avokatin që përfaqësoi Kosovën në Arbitrazhin e Parisit, Gazmend Nushi, po ai ka thënë se ende nuk është në dijeni se është vendosur ky rast.
Një detaj interesant është se KALLXO.com më 27 shtator të këtij viti i ka dërguar pyetje Gjykatës Themelore të Prishtinës lidhur me fatin e padisë së MPB-së të dorëzuar më 6 nëntor 2014.
Në përgjigjen e kthyer më 3 tetor 2016, Gjykata njofton se “lënda i është ndarë në punë gjykatësit”.
Në të njëjtën ditë, KALLXO.com ka kërkuar sqarime shtesë për këtë çështje dhe në përgjigjen e kthyer dje, Gjykata Themelore e Prishtinës njofton se “më 6 tetor 2016 padia e MPB-së me aktvendim është hedhur poshtë”.
Historiku i skandalit të pasaportave
Gjithçka nisi më 5 nëntor 2010 kur Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës publikoi një njoftim për kontratë në lidhje me furnizimin me pasaporta biometrike.
Tenderi kryesor u hap në shkurt të vitit 2011 dhe në maj të të njëjtit vit OeSD-ja u njoftua se kishte fituar tenderin.
Tenderi për prodhimin e pasaportave biometrike të kosovarëve, me vlerë prej 14 milionë e 127 mijë e 3.24 euro u nënshkrua në datën 17 qershor të vitit 2011.
Në fillim dukej si një nga qindra tenderë të tjerë që i japin institucionet për kompanitë e vendit dhe të huaja, por shumë shpejt u kthye në skandal që krijoi një lëmsh në Qeveri e gjykatë.
Ishte paraparë të ishte njëri ndër hapat kryesorë që do të plotësonte kërkesën e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, por doli të jetë një nga skandalet më të mëdha dhe më të përfolura në Kosovën e pasluftës dhe vetëm liberalizimit të vizave nuk i kontribuoi.
Krahas procesit civil, të cilin Kosova e humbi në Arbitrazh, lidhur me këtë rast është mbajtur edhe një proces gjyqësor, i cili ka përfunduar në shkallë të parë në dhjetor të vitit 2014.
Si pjesë e këtij procesi, Natali Velija ishte dënuar me 12 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprat penale: krim i organizuar, pastrim i parave dhe mashtrim, ndërsa më pas ky dënim nga Gjykata e Apelit i ishte ulur në 8 vjet burgim për dy vepra penale – mashtrim dhe pastrim i parave.
Edhe të akuzuarit tjetër Fisnik Blakaj, i cili fillimisht ishte dënuar me 11 vjet burg i është zbutur dënimi nga Gjykata e Apelit. Tani, ai do të vuajë 6 vjet burg për veprën penale të pastrimit të parave.
Dënimet për veprën penale të pastrimit të parave u janë zbutur edhe të dënuarve të tjerë, Betim Blakajt, Ergyn Doganit, Imer Fazlisë dhe Nazmi Thaqit.
Nazmi Thaqi dhe Betim Blakaj janë dënuar me nga një vit burgim, ndërsa Imer Fazlija me dy vjet, e Ergyn Dogani me pesë vjet burgim.
Jakup Blakqori dhe Sefedin Shala u shfajësuan nga vepra penale për të cilën akuzoheshin – pranim i mallrave të vjedhura.
Përkundër se në krejt këtë proces autoriteti kontraktues që inicioi, zhvilloi, mbikëqyri (ose të paktën do të duhej ta mbikëqyrte) tërë procesin e realizimit të këtij projekti dhe në fund shkëputi kontratën e cila qytetarëve të Kosovës do t’u kushtojë për 5 milionë euro më shumë, asnjë zyrtar i Ministrisë nuk është gjykuar deri më tani./KALLXO.com/