Sulmuesi i krahut, Arbër Hoxha është shprehur optimist para duelit të Shqipërisë me Spanjën, ndeshje që është e fundit në kuadër të fazës së grupeve.
Në konferencën për shtyp të premten, Hoxha nuk ka hezituar të thotë se synimi i Shqipërisë në këtë përballje janë pikët e plota.
Ai ka thënë se vetëm fitorja ndaj Spanjës ia siguron Shqipërisë avancimin në fazën nokaut. Shqipëria, aktualisht zë vendin e dytë në Grupin B me 1 pikë pas dy ndeshjeve të luajtura, ndërsa Spanja prinë dhe 6 pikë dhe tashmë është kualifikuar në fazën nokaut.
Dueli mes Shqipërisë dhe Spanjës, zhvillohet të hënën mbrëma në qytetin e Dusseldorfit. Sipas Hoxhës, Shqipëria bëri një paraqitje të mirë ndaj Kroacisë me të cilën barazoi 2:2 dhe ky është një sinjal që mund ta befasojnë edhe Spanjën.
Ai ka vlerësuar lart Spanjën duke pranuar forcën e saj, por ka shtuar se Shqipëria futet në ndeshje vetëm për fitore.
Në fund, Hoxha ka thënë se është i gatshëm për një tjetër paraqitje të mirë në “Euro 2024”, pavarësisht minutave që do t’i ketë në dispozicion.
Hoxha në dy ndeshjet e para, me Italinë dhe Kroacinë u inkuadrua nga stoli dhe pati paraqitje të mira.