Vietnam– Dhoma me mure të bardha brenda një shtëpie në Buon Ma Thuot është e qetë….E vetmja gjë që thyen heshtjen është “beep-i” i herëpashershëm i një peshoreje elektronike ose zhurma e kafesë që derdhet në gotë. Një grumbull njerëzish, të veshur me uniforma të bardha janë të përqendruar te puna.
“Ky është me të vërtetë një laborator”, thotë Nguyen Van Hoa, teksa ecën nëpër dhomë. Ky i ri e quan veten “gjuetar i kokrrës jeshile” dhe është pronar i një kompanie që merret me përpunimin e kafesë. Si gjithmonë, ai vë secilën nga kokrrat e kafesë nëpër gota të mbushura me ujë, duke u siguruar që të kenë temperaturën ideale.
Pronarë kafenesh e biznesmenë të ndryshëm vijnë nga kryeqyteti i Vietnamit për të mësuar më shumë mbi kafenë. Nguyen mban në dorë kafenë e bluar, për të cilën thotë se ka punuar mbi 7 vite. “Përpiqem t’u mbush mendjen të gjithë atyre që janë skeptikë se prej bimës së Robustës prodhohet kafe e mirë”, thotë ai.
Robusta është një lloj bime me origjinë nga Afrika Qendrore nën-Sahariane që prodhon kafe. Edhe Nguyen ka qëllim ta shesë kafenë e prodhuar prej kësaj bime me çmimet më optimale.
Kokrra e kafesë Arabica, e cila është thuajse universale dhe emërtohet si më cilësorja në treg po kërcënohet nga ndryshimet klimatike. Kjo është arsyeja pse tashmë përpunimi i kokrrës së Robustës është thelbësor, në mënyrë që në të ardhmen të mos ketë mungesa.
Vietnami me shumë gjasa është vendi ku do ndodhë i gjithë ndryshimi i madh. Është prodhuesi më i madh në botë i Robustës, dhe i dyti pas Brazilit në prodhimin e përgjithshëm të kafesë. Kultivimi i kafesë daton që në vitin 1850, kohë kur kolonistët francezë çuan bimë kafeje në rajon. Në dekadat që pasuan, plantacionet e kafesë sa vinin e rriteshin në sipërfaqe. Pasi u ndërtua fabrika e parë e përpunimit të kafesë në Vietnam në vitin 1950, industria vetëm sa mori hov. Më pas, pati një prodhim masiv të kafesë, nga 18 mijë tonë deri në më shumë se 1.9 milionë. Sot, 90% e kafesë së Vietnamit rritet në Buon Ma Thuot, zonë ku shtrihen vetëm fusha të gjelbra me bimë kafeje.
Në jug të Buon Ma Thuot, jo shumë larg laboratorit të Nguyen ndodhet plantacioni Aeroco. Në këtë zonë kafeja është mjaft cilësore, por blihet me shumicë e çmim të ulët prej kompanive vendase. Punëtorët që merren me rritjen e kësaj bime janë mjaft të kujdesshëm.
Anh Nguyen Tu, shpjegon se si kujdeset për rritjen e kafesë, nisur që nga plehu organik i cili mezi sigurohet. “Pranë tyre mbjellim edhe misër apo piper, kjo është për ta balancuar ekosistemin. Bimët janë të lumtura pranë njëra-tjetrës”, shprehet ajo. Sipas saj, kafeja ka nevojë për hije dhe bimët pranë saj ndihmojnë tokën të ruajë lëndët ushqyese.
Është shumë e rëndësishme, thekson ajo, që kokrrat e saj të piqen mjaftueshëm. Përndryshe aroma nuk do jetë fantastike! Është një proces që do shumë kohë, pasi mblidhen, kokrrat duhet të thahen më pas të vendosen në ambiente të mbyllura. Është një punë që kërkon durim të jashtëzakonshëm. Vjelja e kokrrave bëhet një herë në vit.
Në Cheo Leo, një kafene në qytetin Ho Chi Mihn, një kamarier servir kafenë e errët që duket sikur shkëlqen. Vietnami ka një mënyrë unike për të pirë kafenë, e cila quhet “phin”.
Uji i nxehtë lëshohet me shumë kujdes mbi kokrrat e kafesë të bluara mirë, vetëm kështu ajo shijon siç duhet. Pija e errët dhe aromatike mund të shërbehet e nxehtë, por edhe me akull. E ndonjëherë me qumësht të ëmbël e të kondensuar. Kokrrat e kafesë shpesh piqen me përbërës të tjerë si gjalpë, salcë soje, sheqer ose vanilje për t’i dhënë akoma më shumë aromë.
Shifra e kultivuesve të Robustës po rritet ndjeshëm. Vende të tilla si Uganda, India dhe Indonezia tani prodhojnë kafe nga ajo bimë dhe po e vlerësojnë maksimalisht cilësinë. Ndryshimet klimatike kanë qenë një faktor i madh. Robusta toleron temperatura më të larta, zakonisht 22 deri në 30 gradë Celcius, ndërsa Arabica nga 15 C në 20 C.
Studimet kanë treguar se deri në vitin 2050, 50% e tokës së përdorur për të kultivuar Arabica sot, mund të jetë e papërshtatshme për prodhim. Industria globale e kafesë do të duhet të transformohet, që do të thotë se Robusta do të kryesojë bindshëm në treg. Deri në vitin 2088, edhe sipas një hulumtimi të “Global Change Biology”, prodhimi i kafesë do të ulet frikshëm, për shkak të rritjes së temperaturave globale.
Kafeja vietnameze do të përdoret gjerësisht. Prodhuesit atje kanë besim se edhe mënyra si ata e konsumojnë kafenë, do të kthehet në një trend botëror.