Arabia Saudite rrëzon një raketë të shkrepur nga Jemeni

Në verilindje të Rijadit, kryeqytetit të Arabisë Saudite, është shkatërruar një raketë balistike e shkrepur nga Jemeni, transmeton Anadolu Agency (AA).

Raketa u shkatërrua me anë të sistemit kundër-ajror. Mediat lokale njoftojnë se raketa u shkatërrua në veri të Aeroportit Ndërkombëtar “Mbreti Khaled” në Rijad dhe se ka rënë në një zonë të pabanuar dhe plotësisht të zbrazët.

Po ashtu theksuan se nuk pati viktima në njerëz e as dëme materiale, si dhe ka vazhduar edhe funksionimi normal i trafikut ajror.

Pjesëtarët e lëvizjes shiite, Husi, njoftuan se kanë shkrepur një raketë balistike në aeroportin e Rijadit.

Jemeni është skenë e një krize të thellë politike dhe të sigurisë e cila nga fundi i vitit 2014 u përshkallëzua në luftë civile, kur kryengritësit e udhëhequr nga lëvizja shiite Husi dhe Kongresi, me të cilin udhëheq presidenti i larguar jemenas Ali Abdullah Saleh, ata morën kryeqytetin Sana, e më pas edhe rajone të tjera.

Presidenti i Jemenit Abdrabbuh Mansour Hadi dhe qeveria e tij kanë ikur në Arabinë Saudite. Qyteti jugor i Adenit është aktualisht qendra administrative e qeverisë jemenase të njohur ndërkombëtarisht.